Federico Higuain shkarkohet nga posti i trajnerit pas komenteve seksiste ndaj një gjyqtareje

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Columbus Crew ka shkarkuar trajnerin e ekipit rezervë, Federico Higuain, pas një incidenti me një gjyqtare gjatë një ndeshjeje në MLS Next Pro.

Federico Higuain, vëllai i ish-sulmuesit të Real Madridit, Gonzalo Higuain, u përjashtua nga ndeshja dhe u pezullua për dy takime pas incidentit, ku ai refuzoi t’ia lëshonte dorën një gjyqtareje dhe i tha: “Mos harro, ky është një sport për burra”.

Columbus Crew më pas vendosi ta largojë Higuainin nga detyra.

“Ne kemi përcaktuar se është në interesin më të mirë të klubit, lojtarëve dhe stafit mbështetës që ta shkarkojmë Federico Higuainin nga përgjegjësitë e tij”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i klubit, Issa Tall.

“Pas bisedave gjatë kësaj jave dhe një vlerësimi të mëtejshëm të muajit të fundit, standardet e klubit për atë që pritet nga një lider i një prej ekipeve tona nuk janë përmbushur”, shtoi ai.

Ndërkohë, Shoqata Profesionale e Gjyqtarëve të Futbollit (PSRA) e ka kritikuar ashpër reagimin fillestar të ligës, duke e cilësuar pezullimin prej dy ndeshjesh si një masë që “është shumë larg asaj që kërkohet”.

Në një deklaratë, sindikata e gjyqtarëve tha se Higuain kishte kryer “dy veprime të qëllimshme të abuzimit fizik dhe seksizmit ndaj një zyrtareje”, duke iu referuar faktit se ai i kishte shtrënguar dorën dhe kishte refuzuar ta lëshonte, edhe pasi ishte udhëzuar tri herë që ta bënte këtë.

“Ky intimidim fizik u shoqërua edhe me një koment degradues dhe seksist ndaj zyrtares: ‘Mos harro, ky është një sport për burra’”, thuhej në deklaratë.

“Gratë e bëjnë më të mirë çdo nivel të këtij sporti. Ato nuk duhet të përballen me intimidim apo komente degraduese për të dëshmuar vlerën e tyre”.

“Gjyqtaret tona kanë dëshmuar profesionalizmin dhe nivelin e tyre edhe në skenën botërore. Ato meritojnë të njëjtin respekt, dinjitet dhe një ambient të sigurt pune si çdo zyrtar tjetër i ndeshjeve”, përfundoi PSRA.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër