Finalja e konkursit të gjuhës shqipe, Kumbaro: Gjuha na bashkon pa kufij

Nga D. V.
153 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 prill Zhurnal.mk – Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë dhe “Besëlidhja” në Lezhë po zhvillojnë sot finalen e edicionit të katërt të Konkursit të Gjuhës Shqipe, një ngjarje që është kthyer në një traditë e cila feston dhe promovon vlerat e gjuhës sonë si dhe e kthen atë në një prioritet arsimor.

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, përshëndeti dhe falënderoi gjithë nxënësit, mësuesit e prindërit për përkushtimin, angazhimin dhe pjesëmarrjen, ndërsa në këtë finale mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Hajrulla Çeku.

“Kemi qenë çdo ditë së bashku, prej janarit, kur e çelëm konkursin e Gjuhës Shqipe dhe sot mblidhemi të gjithë bashkë për të festuar suksesin e këtij rrugëtimi. Jam shumë e lumtur që sot me ftesën time, të kem edhe mikun tim Harjulla Çeku, ministër i Kosovës për Arsimin e Shkencën, të cilin kam shumë kënaqësi ta mirëpres në vizitën e tij të parë zyrtare si ministër i arsimit në Tiranë”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se nesër nis olimpiada e përbashkët me Kosovën.

“Kjo olimpiadë vijon si një zinxhir që ka filluar dhe nuk do të dijë fare për kufij mes nesh sepse ne na lidh gjuha, kombi, gjaku. Kjo ngjarje e zbukuron mozaikun tonë kombëtar të gjuhës shqipe”, shtoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë. “Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që t’na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd”, thoshte Ibrahim Rugova, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjeve të identitetit dhe lëmit tonë kulturor kombëtar”.

Duke iu drejtuar nxënësve Kumbaro tha se “kam emocione të mëdha sot, emocione që m’i keni dhënë ju, në të gjitha nivelet e këtij konkursi: gjatë momenteve të debatit, recitimit, projekteve, pyetjeve e përgjigjeve, po edhe të ndonjë loti që ka shpëtuar kur nuk e keni fituar atë garë. Ka qenë një kënaqësi, emocion dhe krenari e vërtetë t’ju dëgjoje. Një mirënjohje shumë të thellë ta kemi të gjithë bashkë edhe ndaj mësuesve tuaj që ju kanë ndenjur mbi kokë gjatë përgatitjes”.

“Ky konkurs është pikërisht një nga ato iniciativa që e kthejnë gjuhën shqipe në një prioritet arsimor. Ne po ndërtojmë gjithashtu një sistem që u jep mundësinë edhe bashkëmoshatarëve tuaj në Diasporë ta mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë institucionale, të certifikuar, të njehsuar me kornizën europiane të gjuhëve, ta flasin jo vetëm në familje, por edhe si gjuhë pune e në çdo lloj komunikimi tjetër”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “shqipja është e shkruar në kodin tonë gjenetik, prandaj ne jemi sot këta dhe jemi këtu”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër