Shkup, 18 mars – Grupi parlamentar i Frontit Europian ka dorëzuar në Kuvend një rezolutë me të cilën kërkon zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimin e jurisprudencës, një iniciativë që buron nga kërkesat e studentëve të drejtësisë.
Në rezolutë theksohet se studentët shqiptarë, ndonëse ndjekin dhe përfundojnë studimet në gjuhën shqipe në universitete të akredituara, aktualisht nuk kanë mundësi ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare. Sipas deputetëve, kjo përbën shkelje të ligjit në fuqi dhe cenim të parimit kushtetues të barazisë.
Fronti Europian vlerëson se mungesa e organizimit të provimit në gjuhën shqipe krijon pabarazi për studentët shqiptarë dhe pengon ushtrimin e të drejtave të tyre profesionale në mënyrë të barabartë.
Përmes kësaj rezolute, deputetët shqiptarë u bëjnë thirrje institucioneve kompetente, në veçanti Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbatimin e ligjit. Ata kërkojnë që provimi të organizohet edhe në gjuhën shqipe, duke garantuar trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave gjuhësore për të gjithë kandidatët.
Rezoluta pritet të shqyrtohet në seancat e ardhshme parlamentare.
