Gashi: Listat e hapura do të rrisin demokracinë dhe llogaridhënien e deputetëve

Nga Xh M
621 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 prill Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka vlerësuar se vendosja e modelit me lista të hapura në zgjedhje do të kontribuonte në forcimin e demokracisë dhe në rritjen e përgjegjësisë së deputetëve ndaj qytetarëve.

Në një debat kushtuar rolit të Kuvendit në procesin e integrimeve evropiane, të organizuar nga Instituti për Politikë Evropiane, Gashi theksoi se ekziston nevojë gjithnjë e më e madhe për ndryshime në sistemin zgjedhor.

Sipas tij, modeli me lista të hapura do t’u mundësonte qytetarëve të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre, dhe jo vetëm partitë politike, duke rritur kështu llogaridhënien e deputetëve.

“Nevojitet guxim për të bërë hapin drejt listave të hapura. Në këtë mënyrë rritet dinjiteti dhe përgjegjësia e deputetëve”, u shpreh Gashi, duke shtuar se tashmë ekziston një grup pune që po shqyrton ndryshimet e mundshme në modelin zgjedhor.

Ai theksoi gjithashtu se nuk duhet të përgjithësohet puna e deputetëve, duke vlerësuar se në Kuvend ka edhe përfaqësues të përkushtuar dhe cilësorë.

Në debat u potencua edhe se modeli aktual zgjedhor mund të kufizojë pavarësinë e deputetëve, pasi shpesh ata varen nga renditja në listat partiake dhe vendimet e partive, gjë që ndikon në veprimin e tyre politik dhe vendimmarrje të pavarur.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër