Podgoricë/Bruksel, 24 prill, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Ivan Vuković, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dëshiron që Mali i Zi të jetë shteti i radhës që anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Ai tha për ETV se Vuçiçi mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi duke përdorur aleatë të tij brenda koalicionit qeverisës për të vonuar hyrjen e këtij vendi fqinjë në BE, shkruan Zhurnal.mk.
Dy ditë më parë, 27 shtetet anëtare të BE-së ranë dakord për krijimin e një ekipi që do të hartojë Traktatin e Anëtarësimit të Malit të Zi, një hap që konsiderohet i rëndësishëm në procesin e integrimit.
Në lidhje me këtë zhvillim, Vukoviq tha se efekti i këtij grupi pune do të varet nga mënyra se si Mali i Zi do të zbatojë reformat dhe do të miratojë ligjet e mbetura.
“Çfarë efektesh do të ketë ky grup pune dhe si do të ndikojë në dinamikën e integrimeve evropiane, varet nga performanca jonë. Ajo që ndodhi në Bruksel është inkurajuese, por nëse do ta shfrytëzojmë këtë mundësi varet nga efikasiteti i qeverisë. Nuk jam pesimist, por kam arsye të besoj se nuk do të përmbushim plotësisht objektivin për mbylljen e të gjitha kapitujve deri në fund të vitit 2026”, deklaroi Vukoviq.
Sipas deputetit Mali i Zi po e humbet fokusin dhe po ngadalëson procesin e integrimit evropian.
Sipas tij, Vuçiq pritet të përdorë kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiq si dhe një parti më të vogël në koalicionin qeverisës për të vonuar miratimin e ligjeve të nevojshme për hyrje në BE.
Si arsye tjetër, Vukoviq i rikujtoi gjithashtu tensionet me Kroacinë, pasi qeveria kroate në korrik 2024 shpalli Mandiq, Milan Knezheviq dhe Aleksa Beçiq “persona non grata”, pas miratimit të një rezolute nga parlamenti malazez.për krimet e Luftës së Dytë Botërore në Jasenovac.
Që nga fillimi i negociatave me BE-në në vitin 2012, Mali i Zi ka hapur 33 kapituj dhe ka mbyllur 14 prej tyre. Duhet mbyllur edhe 19 kapitujt tjerë të bisedimeve të anëtarësimit.
Qeveria e Milojko Spajiq synon përmbylljen e të gjitha kapitujve deri në fund të vitit dhe anëtarësimin e plotë në BE në vitin 2028. / Zhurnal.mk
