Gazetarja e pyet Marta Kos: Shpjegojeni si të ndërtojmë besim me një vend anëtar të BE‑së që nuk e njeh gjuhën dhe identitetin?

Nga D V
1,036 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 korrik, Zhurnal.mk – Pyetja se si Maqedonia e Veriut duhet të ndërtojë besim me Bullgarinë, e cila nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, ishte në fokus të konferencës së sotme për shtyp të komisares evropiane për zgjerim, Marta Kos.

Gazetarja Lepa Xhundeva theksoi se Kos, si sot ashtu edhe dje, përsërit se Bashkimi Evropian funksionon mbi bazën e besimit, dhe pyeti se si mund të ndërtohet ky besim me një vend anëtar që nuk e njeh gjuhën dhe identitetin maqedonas, duke ia kujtuar deklaratën unilaterale të dorëzuar gjatë konferencës së parë ndërqeveritare. Ajo kërkoi përgjigje edhe nëse në rrethana të tilla nuk janë të justifikuara kërkesat për garanci shtesë.

Në përgjigjen e saj, Kos tha se Bashkimi Evropian e ka ndërtuar themelin pikërisht mbi besimin, por pranoi se nuk ekziston një recetë universale se si krijohet ai.

“Jam e lumtur që e parashtruat pyetjen për besimin, sepse mbi këtë është ndërtuar Bashkimi Evropian. Kur filloi, ai nuk nisi si bashkësi politike, por si bashkësi e çelikut. Nuk ishte politikë e mirë e marrëdhënieve të ndërsjella. Por ajo që e vlerësoj, flas për të kaluarën serioze në fund të viteve ’50 të shekullit të kaluar, është se besimi mes ish‑armiqve, si Gjermania dhe Franca, lindi nga besimi se do ta ndërtonin së bashku strukturën, diçka më të mirë sesa të luftonin kundër njëri‑tjetrit”, tha Kos.

Ajo theksoi se nuk mund të japë këshilla se si Maqedonia e Veriut duhet të ndërtojë besimin me fqinjët, por nënvizoi se sa më i madh të jetë besimi, aq më lehtë zhvillohet procesi i anëtarësimit.

“Po, pajtohem me ju, besimi është i rëndësishëm, por si ta ndërtojmë? Nuk ka receta për këtë. Unë nuk jam ajo që mund t’ju japë këshilla se si të ndërtoni besim me fqinjët tuaj. Por ajo që e di është se sa më shumë besim të keni, aq më lehtë do të avanconi në procesin e anëtarësimit.”

Kos theksoi se besimi nuk ndërtohet me deklarata, por me veprime konkrete, respektim të së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunim.

“Ajo që dua të them është: si mund ta ndërtojmë besimin? Mund ta ndërtojmë jo vetëm me fjalë të mira, por edhe me vepra të mira. Mund të ndërtojmë besim duke shmangur veprime dhe fjalë që mund të rrisin tensionet, mund ta rrisim besimin kur e respektojmë të drejtën ndërkombëtare, kur i zgjidhim mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, mund të ndërtojmë besim përmes bashkëpunimit në çështje të përbashkëta.”

Ajo shtoi se ndërtimi i besimit nuk ka të bëjë vetëm me një vend anëtar, por me marrëdhëniet me të gjitha 27 vendet e BE‑së.

“Ndërtimi i besimit është mbështetje për stabilitetin rajonal, dhe ndërtimi i besimit nuk ka të bëjë vetëm me një vend anëtar, por me ndërtimin e besimit me të gjitha njëzet e shtatë vendet anëtare”, deklaroi Kos.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër