Gjeneral Major Ferdinand Dimo merr komandën e Akademisë së FA, Nufi: Arsimi ushtarak, pararojë

Nga D. V.
293 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 26 maj, Zhurnal.mk – Gjeneral Major Ferdinand Dimo ka marrë zyrtarisht drejtimin e Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), pas dorëzimit të komandës nga Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast mori pjesë edhe Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjenerallejtënant Arben Kingji; gjeneralë, oficerë, pedagogë, studentë dhe të ftuar të tjerë.

Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar dhe leximit të urdhrave përkatës, Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj vlerësoi bashkëpunimin gjatë drejtimit të Akademisë.

Ndërsa Gjeneral Major Ferdinand Dimo shprehu angazhimin për të vijuar modernizimin dhe forcimin e institucionit në përputhje me standardet e NATO-s. Një nga momentet simbolike të ceremonisë ishte dorëzimi i flamurit të komandës, që shënoi zyrtarisht kalimin e drejtimit të Akademisë së Forcave të Armatosura.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Ermal Nufi vlerësoi kontributin e Gjeneral Brigade Bardhyl Nuredinaj në drejtimin e Akademisë, duke theksuar zhvillimet e rëndësishme të institucionit në konsolidimin akademik, forcimin e kërkimit shkencor dhe avancimin e projekteve infrastrukturore.

“Akreditimi i Akademisë vitin e kaluar përbën një arritje të rëndësishme institucionale, duke dëshmuar seriozitetin, standardet dhe cilësinë e punës së bërë nga stafi akademik dhe drejtuesit e këtij institucioni. Po aq domethënës është edhe progresi i bërë për kampusin e ri të Akademisë, i cili do të mikpresë studentët vitin e ardhshëm akademik, një investim strategjik për të ardhmen e arsimit ushtarak dhe për standardet që synojmë të arrijmë si vend anëtar i NATO”, theksoi ministri Nufi.

Duke uruar Gjeneral Major Ferdinand Dimon për detyrën e re, Ministri Nufi theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol kyç në formimin profesional të oficerëve, zhvillimin e mendimit strategjik, kulturës së sigurisë dhe kapaciteteve të lidershipit për Forcat e Armatosura.

“Akademia e Forcave të Armatosura duhet të jetë qendra ku formohen oficerët e së nesërmes, oficerë të aftë për të komanduar, për të menduar në mënyrë strategjike dhe për t’u përballur me sfidat komplekse të sigurisë moderne, sikurse duhet të konsolidohet sistematikisht si qendër e rëndësishme edhe e kërkimit shkencor në vend. Ne jemi mëse të vendosur që mos të ndalim në asnjë moment ritmin për modernizimin e sistemit të arsimit ushtarak. Në bashkëpunim të ngushtë edhe me Ministrinë e Arsimit dhe partnerët tanë euroatlantikë, do të çojmë përpara vizionin e ndërtimit të një sistemi ushtarak cilësor, konkurrues dhe plotësisht të ndërveprueshëm me standardet e NATO-s dhe të Bashkimit Europian”, nënvizoi ministri i Mbrojtjes.

Ai garantoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Mbrojtjes për vijimin e reformave dhe modernizimin e sistemit të arsimit ushtarak, për të rritur kapacitetet profesionale të Forcave tona të Armatosura.

Gjatë ceremonisë ku Gjeneral Major Ferdinand Dimo mori komandën e Akademisë së FA- Ministria e Mbrojtjes

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër