Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Krime të Rënda (GJKKO) shpalli të pafajshëm deputetin e Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili ishte paditur për shpifje nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).
Akuzat lidhen me një deklaratë të bërë nga Bardhi më 18 tetor të vitit të kaluar, ku ai kishte pohuar se OSHEE ka manipuluar përqindjet e humbjes së energjisë elektrike në rrjet.
Në këtë kontekst, OSHEE ka paditur Bardhin për shpifje, ndërsa kreu i grupit parlamentar të PD-së ka reaguar duke bërë një kallëzim penal ndaj autoriteteve për dyshime për shpërdorim detyre.
Në seancën e mbajtur këtë të mërkurë, prokurorja Anita Jella konfirmoi se është regjistruar një procedim penal dhe se po kryhen hetime në lidhje me denoncimin e Bardhit.
Përveç këtij procesi, Bardhi po përballet edhe me një tjetër akuzë për shpifje, këtë herë nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. Ky proces vijon të jetë në gjykimin e Gjykatës së Posaçme.
