Haradinaj: VV e ka një plan, po pritet 5 prilli që Haxhiu të jetë ushtruese detyre e presidentit

Nga D. V.
334 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 2 prill Zhurnal.mk –  Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para fillimit të seancës  për çështjen e presidentit, raporton Ekonomia Online.

Ai, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka një plan në kohë, duke shtuar se po dëshirojnë që ushtruese detyre e presidentit të jetë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“LVV e ka një plan në kohë. Për ta është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit, prandaj nuk po nguten. Pastaj mbetet të shihet se si do ta menaxhojnë situatën, por ne varemi nga iniciativa e tyre. Po shihet qartë që kjo është e lidhur me përfundimin e mandatit të presidentes aktuale. Pra, LVV po pret. Çdo gjë pritet të fillojë në momentin kur të kemi një ushtrues detyre të ri të presidentit. Njëherë të marrë detyrën Haxhiu, e pastaj të nisin konsultimet e mëtejshme”, tha Haradinaj.

Ai theksoi se partia e tij i ka gjashtë vota, por nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet.

“AAK i ka votat, janë gjashtë, por ende nuk janë të përcaktuara se si do të veprohet. Nuk kemi asnjë zhvillim konkret dhe është e qartë që gjithçka lidhet me kohën, pra të shkojë Osmani, me qenë ushtruese e detyrës Haxhiu, dhe pastaj të shohim se çfarë do bëjnë”, shtoi kreu i Aleancës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër