Haxhiu për koalicionin shqiptar në Luginë: Bashkimi është i domosdoshëm

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mirëpritur marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar” për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi.

Haxhiu ka thënë se tetë subjekte politike shqiptare nga Lugina e Preshevës janë bashkuar pavarësisht dallimeve politike dhe historisë së tyre.

“Ky është një vendim i pjekur politik, që e vendos përfaqësimin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbi çdo llogari partiake. I përgëzoj kryetarët e tyre që e bënë të mundur këtë marrëveshje”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se bashkimi vjen në një situatë që, sipas saj, karakterizohet nga diskriminimi dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

“Këtu përfshihen pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave dhe nënpërfaqësimi në institucionet publike. Po ashtu, kufizimet në arsim, përdorimin e gjuhës dhe simboleve, si dhe përjashtimi ekonomik”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka bërë edhe një krahasim me të drejtat dhe përfaqësimin e komunitetit serb në Kosovë, duke thënë se shqiptarët në Serbi nuk kanë ulëse të garantuara në parlament.

“Shqiptarët në Serbi, ndërkaq, nuk kanë ulëse të garantuara në parlament dhe përfaqësimi i tyre varet vetëm nga vota. Pasivizimi i adresave ua vështirëson edhe ushtrimin e së drejtës së votës”, ka shkruar ajo.

Sipas Haxhiut, bashkimi i subjekteve shqiptare në një listë të përbashkët mund të ndikojë në forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Luginës.

“Në këto rrethana, bashkimi është i domosdoshëm. Ndarja e votave mund ta dobësojë përfaqësimin e Luginës, ndërsa një listë e përbashkët e forcon atë”, ka thënë ajo.

Në fund, Haxhiu ka deklaruar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

“Si përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë ta ngremë zërin për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. Do ta shtojmë edhe mbështetjen institucionale për ta”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo u ka uruar sukses kandidatëve të listës së përbashkët në zgjedhjet e 25 tetorit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër