Kurti: Sot nisin komunikimet me krerët e opozitës për zgjedhjen e presidentit

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të nisin komunikimet për takime me krerët e opozitës, në përpjekje për të arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Kurti tha se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Këtë deklaratë ai e bëri për KosovaPress, pas homazheve për ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ejup Statovci.

“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, tha Kurti.

Ndryshe dje, pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se janë të domosdoshme takimet e reja dhe bisedimet me partitë, duke theksuar se Kosova nuk ka nevojë për destabilitet të mëtejshëm institucional.

“Duhet të ketë takime, bisedime e pajtime. Unë e kam parë që është e mundshme, ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë”, deklaroi ai.

Sa i përket kandidatit për president, Kurti bëri të qartë se LVV-ja vazhdon t’i qëndrojë marrëveshjes politike dhe kandidaturës së Bekim Sejdiut.

Sipas Kurtit, Sejdiu është tërhequr pasi gjashtë deputetë të LDK-së e kanë shkelur marrëveshjen.

Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri përfundon më 6 tetor. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda këtij afati, vendi përballet me zgjedhje të reja.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër