Hita takim me delegacionin nga EUROPOL: Forcim i mëtejshëm i bashkëpunimit

Nga D. V.
307 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 prill Zhurnal.mk – Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita zhvilloi takimin e parë me partnerët ndërkombëtarë, me delegacionin nga Qendra për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda në EUROPOL (ESOCC).

Delegacioni kryesohej nga Andy Kraag, drejtues i Qendrës kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në EUROPOL, i shoqëruar nga shefi i Njësisë në Projektin Analitik HROCG – Grupet Kriminale me Rrezikshmëri të Lartë, si dhe nga zëvendësdrejtuesi i njësisë në këtë projekt.

Gjatë takimit, Hita dhe Kraag vlerësuan marrëdhëniet e mira mes Policisë së Shtetit dhe Europol-it, duke theksuar rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit.
Hita siguroi përfaqësuesit e delegacionit për angazhimin dhe vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.

Ai theksoi se vetëm nëpërmjet bashkëveprimit të ngushtë dhe pa barriera mund të arrihen rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

Nga ana e tij, Kraag uroi drejtorin e Përgjithshëm Hita për detyrën dhe garantoi mbështetje të pakushtëzuar nga Europol për Policinë e Shtetit, në drejtim të shkëmbimit të informacionit për goditjen e krimit të organizuar, krimeve në fushën e narkotikëve, kontrabandimit të emigrantëve dhe krimeve kibernetike, duke zhvilluar hetime proaktive dhe operacione të përbashkëta me Europol-in dhe vendet anëtare të tij.

Gjithashtu, në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e implementimit të strategjisë së re të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar 2026-2028, si dhe Projekti Analitik HROCG, i cili përfshin identifikimin, profilizimin dhe ndjekjen e grupeve kriminale më të rrezikshme në nivel ndërkombëtar, analizën e rrjeteve kriminale, shkëmbimin e inteligjencës, si dhe koordinimin e operacioneve të përbashkëta për goditjen e tyre.

Ky projekt synon rritjen e kapaciteteve hetimore dhe operacionale, si dhe ndërhyrjen e sinkronizuar ndaj aktiviteteve kriminale ndërkufitare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër