Hita viziton efektivin e plagosur në detyrë: Sakrifica e punonjësve do të vlerësohet maksimalisht

Nga D. V.
215 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 27 maj, Zhurnal.mk – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, vizitoi sot në Spitalin e Traumës një nga punonjësit e policisë të dëmtuar gjatë një operacioni antidrogë në qarkun e Korçës.

Efektivi i DVP Korçë mbeti i plagosur së bashku me një koleg, pasi automjeti i tyre u përplas qëllimisht nga një person i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, i cili më pas u arrestua nga policia.

Gjatë vizitës në spital, Hita uroi shërim të shpejtë për dy efektivët dhe vlerësoi profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e treguar në përmbushje të detyrës.

“Përmbushja e detyrës dhe e misionit tonë ka edhe rrezikun me vete, por kur kemi zgjedhur këtë mision, kemi marrë parasysh se të jesh në shërbim të ligjit dhe qytetarëve ka edhe sakrificë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm.

Ai theksoi se sakrifica dhe përkushtimi i çdo punonjësi policie do të vlerësohen maksimalisht dhe garantoi mbështetje të plotë institucionale për trajtimin mjekësor dhe financiar të efektivëve të dëmtuar në krye të detyrës.

Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Korçë–Pogradec, pranë fshatit Lumalas, ku dy punonjësit e policisë konstatuan një person të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe tentuan ta ndalonin.

Sipas policisë, 21-vjeçari, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, goditi qëllimisht automjetin me të cilin udhëtonin efektivët, duke shkaktuar plagosjen e tyre.

Në vijim të operacionit u arrestuan në flagrancë dy shtetas të moshave 19 dhe 21 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një 27-vjeçar, pronar i një lokali ku dyshohet se shpërndahej lëndë narkotike dhe ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit.

Si prova materiale u sekuestruan doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një tavolinë pokeri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër