Hoxha: Anëtarësimi në BE, rrugë konkrete modernizimi për vendin

Nga D. V.
385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 prill, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm një destinacion, por duhet parë si një rrugë konkrete modernizimi dhe përparimi për vendin.

Në një aktivitet të organizuar nga Instituti për Studime Ndërkombëtare, ministri Hoxha solli në vëmendje linjat kryesore të politikës sonë të jashtme si dhe vizionin për të ardhmen.

“Orientimi ynë i hershëm dhe i qartë drejt botës euroatlantike, si garanci për demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin e vendit, si dhe si shprehjen e aspiratës sonë për liri dhe përkatësi perëndimore, është dhe do të vijojë të jetë në qendër të projektimit tonë të jashtëm”, u shpreh Hoxha.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sipas tij, nuk është thjesht një objektiv politik, por një transformim i thellë.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një tjetër organizatë, por një mënyrë të menduari dhe të jetuari”, shtoi ministri.

Duke u ndalur te bashkëpunimi rajonal, Hoxha theksoi se Shqipëria ka investuar në mënyrë të qëndrueshme dhe me sukses në këtë drejtim, me bindjen se pa marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe pa një bashkëpunim ndërtues dypalësh e shumëpalësh, do të ishte më e vështirë të ndërtonim perspektivën tonë evropiane.

“Nëse fqinjët nuk i zgjedhim, mund të zgjedhim cilësinë e marrëdhënieve që ndërtojmë me ta, dhe këtë kemi bërë e do të bëjmë. Shqipëria e sheh bashkëpunimin rajonal si një përshpejtues të anëtarësimit në BE, sepse vetëm bashkëpunimi i vërtetë e bën Ballkanin realisht Perëndimor”, shtoi ai.

Në këtë kuadër, Hoxha nënvizoi se marrëdhëniet e ngushta e të gjithanshme me Republikën e Kosovës përbëjnë një dimension të veçantë, të qëndrueshëm dhe të pandryshueshëm.

“Pas 18 vitesh pavarësi, është provuar bindshëm se rajoni ynë, shqiptarët dhe serbët në Kosovë, jetojnë më mirë dhe me më shumë perspektivë në këtë realitet të ri. Ky fakt duhet të shërbejë si bazë për një qasje më pragmatike dhe të orientuar drejt së ardhmes nga vendet që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës, në mënyrë që stabiliteti, bashkëjetesa dhe integrimi evropian të vendosen mbi ndarjet e së kaluarës”, tha ministri.

Po ashtu, Hoxha theksoi se “mbështetja për shqiptarët në rajon mbetet një shtyllë e rëndësishme e angazhimit tonë”.

“Kjo qasje synon forcimin e stabilitetit, bashkëjetesës dhe integrimit evropian të të gjithë rajonit, në përputhje me parimet e fqinjësisë së mirë dhe vlerat evropiane. Kjo vlen për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe rolin e tyre shtetformues si dhe për ata në Malin e Zi dhe në Luginën e Preshevës. Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe ruajtja e forcimi i partneritetit euroatlantik me të gjitha vendet aleate, përfshirë në radhë të parë me SHBA, janë dy anë të së njëjtës medalje, asaj që përkufizon botën perëndimore si një hapësirë vlerash dhe sigurie”, tha ai.

Po ashtu, Hoxha nënvizoi se për vende të vogla si Shqipëria, multilateralizmi mbetet një instrument i rëndësishëm për t’u dëgjuar dhe për të ndikuar në arenën ndërkombëtare.

“Mjafton të përmendim mandatin tonë të parë në Këshillin e Sigurimit. Në këtë kuadër, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla është një parim themelor që garanton parashikueshmëri, stabilitet dhe barazi mes shteteve. Për Shqipërinë, mbështetja për këtë rend nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një interes strategjik i drejtpërdrejtë”, tha ai.

Një tjetër synim i politikës së jashtme, sipas ministrit Hoxha mbetet avancimi i diplomacisë ekonomike.

“Diplomacia ekonomike nuk duhet të mbetet një slogan, por të kthehet në një plan konkret veprimi, duke përdorur rrjetin tonë diplomatik edhe si një platformë shërbimi për biznesin, dhe duke e bërë politikën e jashtme një katalizator real të transformimit ekonomik të vendit”, tha Hoxha.

Në këtë vizion, ministri theksoi se “synojmë të përfshijmë gjithnjë e më shumë diasporën shqiptare, si një partner të rëndësishëm të zhvillimit kombëtar”.

“Do të vijojmë të kultivojmë dhe forcojmë partneritete të rëndësishme me vendet e tjera, mike apo qoftë vetëm të interesuara, pavarësisht gjeografisë, sikurse po ndërtojmë e kultivojmë marrëdhënie të ngushta bashkëpunuese me vendet e Gjirit, po jo vetëm, si dhe me shumë vende të tjera me të cilat ndajmë interesa të përbashkëta për bashkëpunim dhe përfitime reciproke”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër