Hoxha: Shqipëria, aleate e përkushtuar dhe e besueshme e NATO-s

Nga D. V.
331 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk  – Shqipëria shënon sot 17-vjetorin e anëtarësimit në NATO, një moment historik që shënoi konsolidimin e kursit euroatlantik dhe forcimin e sigurisë kombëtare.

Në një postim në rrjetin social X, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, vlerësoi këtë përvjetor si një hap vendimtar drejt së ardhmes së vendit, duke theksuar se që prej anëtarësimit, Shqipëria ka dëshmuar se është një aleate e përkushtuar dhe e besueshme.

Sipas Hoxhës, vendi ka kontribuar në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e NATO-s, ndërsa ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Ai nënvizoi se, Shqipëria është tashmë e harmonizuar plotësisht me prioritetet në zhvillim të Aleancës, duke përfshirë ndarjen e drejtë të përgjegjësive, rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e qëndrueshmërisë dhe përqafimin e inovacionit dhe teknologjive të reja në një mjedis sigurie gjithnjë e më kompleks.

Duke parë drejt së ardhmes, Hoxha bëri të ditur se, Shqipëria po përgatitet të presë për herë të parë një Samit të NATO-s në rajon, një zhvillim që sipas tij reflekton besimin në rolin dhe kontributin e vendit brenda Aleancës.

Në përfundim, ai theksoi se, Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj mbrojtjes kolektive, paqes, lirisë dhe vlerave të përbashkëta me aleatët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër