Hoxha telefonatë me homologun boshnjak: Forcim i marrëdhënieve, mbështetje për stabilitetin rajonal

Nga D. V.
366 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk  – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një bisedë të parë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konaković, duke e cilësuar atë miqësore dhe produktive.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë bisedës u rikonfirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Të dy ministrat ndanë qëndrimin se paqja, siguria dhe stabiliteti në rajon duhet të mbeten prioritete kryesore, veçanërisht në kushtet e sfidave të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor dhe në kuadër të një perspektive të besueshme dhe konkrete evropiane për rajonin.

Ministri Hoxha theksoi gjithashtu se, Shqipëria rikonfirmon mbështetjen e saj të fortë dhe të palëkundur për sovranitetin, unitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke dënuar çdo formë të separatizmit apo veprimet që cenojnë rendin kushtetues të vendit.

Sipas tij, integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një shtytës kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, stabilitetin dhe prosperitetin në rajon.

Në këtë drejtim, të dy vendet janë të angazhuara për të avancuar në rrugën evropiane përmes reformave, bashkëpunimit më të ngushtë dhe përafrimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), si dhe me standardet dhe vlerat e BE-së.

Ministri Hoxha nënvizoi se palët presin me interes vijimin e koordinimit dhe dialogut të ngushtë në periudhën në vijim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër