Nufi: 17-vjetori i anëtarësimit në NATO, moment historik

Nga D. V.
412 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 prill, Zhurnal.mk  – Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përkujtoi 17-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë një moment historik dhe një arritje strategjike për vendin.

Në një postim në rrjetet sociale, Nufi theksoi se anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarake në histori nuk ishte vetëm një akt formal, por një zgjedhje e qartë e Shqipërisë drejt vlerave euroatlantike, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët.

Ai u shpreh se, përgjatë këtyre 17 viteve, Shqipëria ka ndërtuar një profil të besueshëm si aleate, duke rritur kapacitetet mbrojtëse dhe duke modernizuar Forcat e Armatosura.

Ministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e grave dhe burrave në uniformë, të cilët përfaqësojnë vendin me dinjitet në misionet ndërkombëtare.

Sipas Nufit, Shqipëria ka fituar një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti dhe pikë referimi për sigurinë në rajon, përmes angazhimit të vazhdueshëm krah për krah me aleatët, nga misionet paqeruajtëse deri te operacionet ndërkombëtare.

Ministri i Mbrojtjes nënvizoi se kontributi i Shqipërisë në mbrojtjen kolektive buron nga vetëdija për vlerën e lirisë, sigurisë dhe solidaritetit, duke shtuar se vendi do të vijojë të jetë një aleat i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë globale.

“Rrugëtimi ynë vazhdon, me më shumë përgjegjësi, me më shumë ambicie dhe me të njëjtin përkushtim”, u shpreh Nufi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër