Tiranë, 10 qershor, Zhurnal.mk – Në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi së bashku me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji zhvilloi një takim me gjeneral brigade të Forcave Ajrore të SHBA, Yvonne L. Mays, njëkohësisht adjutante e përgjithshme e Shtetit të Nju-Xhersit dhe komisionere për Çështjet Ushtarake.
Përgjatë bashkëbisedimit u vlerësua një çerekshekulli partneritet ndërmjet Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, e cila ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Në fokus të bisedës ishin disa fusha prioritare të bashkëpunimit, mes të cilave forcimi i Trupës së Nënoficerëve dhe edukimit ushtarak, rritja e kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike, mbështetja për funksionalitetin e plotë të Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe forcimi i sigurisë euroatlantike.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vlerësoi veçanërisht kontributin e Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit në ngritjen profesionale të Trupës së Nënoficerëve përmes programeve të trajnimit, mentorimit dhe shkëmbimit të përvojave, duke theksuar se ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardeve dhe efektivitetit të Forcave tona të Armatosura.
Palët diskutuan gjithashtu mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe rëndësinë e rritjes së investimeve në mbrojtje, në përputhje me angazhimet e NATO-s.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe për të hapur një kapitull të ri partneriteti mes Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale e euroatlantike.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi vlerësoi gjeneral brigade Yvonne L. Mays me “Medaljen e Artë të Shërbimit Ushtarak”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të veçantë në forcimin e bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të Nju-Xhersit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e kapaciteteve dhe konsolidimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy forcave.
