Hyn në fuqi rregullorja e re për cilësinë e karburanteve të lëngshme në Maqedoninë e Veriut

Nga D V
961 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 korrik, Zhurnal.mk – Pas gati 19 vitesh zbatim të rregullores së mëparshme, në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në fuqi Rregullorja e re për cilësinë e karburanteve të lëngshme, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale.

Sipas Ministrisë, rregullorja e re vendos standarde më të sakta për cilësinë e karburanteve që mund të vendosen në treg, përcakton mënyrën e kontrollit dhe monitorimit të cilësisë, si dhe obligimet e të gjithë pjesëmarrësve në tregun e naftës bruto, derivateve të naftës dhe karburanteve për transport.

Nga Ministria bëjnë të ditur se qëllimi i rregullave të reja është krijimi i një tregu më të rregulluar, me kushte të barabarta për të gjitha kompanitë dhe me më shumë mbrojtje për konsumatorët. Sipas tyre, zbatimi i standardeve më të larta do të ulë mundësinë për keqpërdorime dhe konkurrencë jo të drejtë mes operatorëve.

Ministria vlerëson se standardet e reja do të kontribuojnë edhe në uljen e emetimeve të dëmshme në mjedis dhe në zhvillimin e një sektori energjetik më të qëndrueshëm.

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve Minerale, Sanja Bozhinovska, deklaroi se me rregulloren e re zëvendësohet një kuadër i vjetërsuar me rregulla moderne që synojnë të rrisin sigurinë e qytetarëve dhe transparencën në treg.

“Pas gati 19 vitesh, ne po zëvendësojmë rregulloren e vjetërsuar me një të re që sjell rregulla dhe standarde të qarta. Qëllimi ynë është që qytetarët të kenë më shumë siguri për cilësinë e karburanteve që përdorin, ndërsa kompanitë që veprojnë ligjërisht të mbrohen nga konkurrenca jo e drejtë”, tha Bozhinovska.

Me hyrjen në fuqi të rregullores së re, Ministria thotë se vazhdon zbatimin e Ligjit të ri për Energjetikë dhe procesin e harmonizimit të rregullativës vendore me standarde më bashkëkohore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër