Tiranë, 9 gusht Zhurnal.mk – I dënuari me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, ka kërkuar leje që të dalë përkohësisht nga qelia, për shkak se nëna e tij ka ndërruar jetë. Çapja, i cili vuan dënimin me burg përjete në siguri të lartë, ka kërkuar që të jetë i pranishëm në ceremoninë e lamtumirës.
Deri tani autoritetet e burgjeve nuk kanë marrë një vendim përfundimtar për kërkesën. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe masave të sigurisë që kërkon shoqërimi i tij, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar që në planin e masave të përfshihet edhe Policia e Shtetit.
Autoritetet po diskutojnë masat që do të ndërmerren në rast se Çapjas i miratohet kërkesa për të udhëtuar drejt Elbasanit.
Masat e sigurisë lidhen jo vetëm me faktin se Çapja është i burgosur i sigurisë së lartë, por edhe me nevojën për të garantuar sigurinë e tij gjatë lëvizjes dhe qëndrimit jashtë institucionit të vuajtjes së dënimit.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas vlerësimit të të gjitha masave të sigurisë dhe kushteve për shoqërimin e tij.
Kush është Ardian Çapja
Ardian Çapja është një prej emrave më të njohur të kronikës së zezë në Elbasan, i lidhur ndër vite me përplasjet e përgjakshme mes familjes Çapja dhe familjes Beqiri.
Çapja, i cili për vite ka qenë në vëmendjen e policisë dhe drejtësisë, i ka shpëtuar disa atentateve. Vetëm gjatë vitit 2017, sipas raportimeve të kohës, ndaj tij u kryen tre atentate me armë dhe eksploziv. Në qershor 2020, ai i mbijetoi gjithashtu një tjetër atentati në vilën e tij në zonën e Kodër Krastës në Elbasan.
Emri i tij lidhet edhe me një prej dosjeve më të bujshme të krimit të organizuar në Elbasan, atë të vrasjes së dyfishtë të Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, më 15 gusht 2012. Të dy u vranë brenda banesës së tyre në Elbasan.
Ngjarja ishte pjesë e një serie përplasjesh dhe vrasjesh që nisën vite më parë. Një prej episodeve kryesore ishte vrasja e Sokol Çapjas në vitin 2005. Sokol Çapja ishte vëllai i Ardian Çapjas, ndërsa Gentian Beqiri, një prej viktimave të vitit 2012, ishte akuzuar më herët për përfshirje në atë ngjarje.
Ardian Çapja u arrestua në mars 2021 gjatë operacionit policor “Krasta 2021”. Në banesën e tij, policia njoftoi se kishte gjetur edhe një armë zjarri kallashnikov.
Në prill 2023, Gjykata e Posaçme e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit. Me burgim të përjetshëm u dënuan gjithashtu Florenc Çapja dhe Jorgo Leku, ndërsa persona të tjerë të pandehur në të njëjtën çështje morën dënime të ndryshme.
Në dosjen e SPAK, çështja u trajtua edhe në kuadër të akuzave për grup të strukturuar kriminal. Vendimi i dënimit e vendosi Ardian Çapjan përfundimisht në burg për pjesën tjetër të jetës.
