Siljanovska distancohet nga rasti i Todorovskit: “Vendimin e merr Agjencia e Inteligjencës”

Nga Xh M
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 gusht Zhurnal.mk – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, është distancuar nga rasti i zyrtarit të inteligjencës Kiro Todorovski, i cili kishte një dënim me kusht për parregullsi zgjedhore në rastin “Titanik”, por më pas ishte emëruar për të përfaqësuar Agjencinë e Inteligjencës në Vjenë, pasi kishte marrë edhe certifikatë për qasje në informacione shtetërore të klasifikuara.

Pas disa ditësh heshtjeje dhe pas kërkesave nga disa parti opozitare dhe opinioni publik, edhe ne kërkuam qëndrimin e Presidencës. Në përgjigjen dërguar TV24, nga “Vila Vodno” theksojnë se vendimin për emërimin e përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës e merr vetë Agjencia dhe se vendimi nënshkruhet nga drejtoresha e saj.

“Përkatësisht, në përputhje me nenin 1, paragrafi 2 të Ligjit për Agjencinë e Inteligjencës, ‘Agjencia paraqet organ të veçantë të administratës shtetërore’, ndërsa sipas nenit 5 të të njëjtit ligj, ‘drejtori i ushtron në mënyrë të pavarur detyrat dhe kompetencat e Agjencisë’. Prandaj, vendimet kadrovike, organizative dhe operative merren ekskluzivisht brenda kompetencave të përcaktuara me ligj të këtij organi të pavarur.”

Nga Kabineti sqarojnë gjithashtu se vendimin për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës në një mision diplomatik nuk e nënshkruan presidentja, por drejtori i Agjencisë.

“Drejtori/drejtoresha, dhe jo presidenti/presidentja e shtetit, e nënshkruan vendimin për përzgjedhjen e përfaqësuesit të Agjencisë së Inteligjencës në një përfaqësi diplomatike-konsullore. Mbi bazën e këtij vendimi, ministri i Punëve të Jashtme nxjerr vendim për dërgimin e tij/saj, pas së cilës ai/ajo nënshkruan letrën e akreditimit, të cilën përfaqësuesi ia dorëzon institucionit kompetent të shtetit pritës.”

Në përgjigjen e Presidencës theksohet gjithashtu se mbikëqyrja mbi punën e Agjencisë së Inteligjencës bëhet nga Kuvendi.

“Ju rikujtojmë se ligjvënësi ka përcaktuar mekanizëm të kontrollit demokratik dhe institucional mbi punën e Agjencisë së Inteligjencës. Konkretisht, në përputhje me nenin 21 të Ligjit, Kuvendi ushtron mbikëqyrje mbi punën e Agjencisë përmes komisionit përkatës parlamentar. Pra, dyshimet për veprim të kundërligjshëm të Agjencisë mund të verifikohen përmes inicimit të një procedure parlamentare të mbikëqyrjes së punës së Agjencisë”, thuhet në përgjigje.

Për emërimin e Todorovskit si përfaqësues në Vjenë ka reaguar më herët edhe partia politike Levica, e cila ka kërkuar përgjigje nga presidentja dhe institucionet përkatëse, por edhe nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet.

Nga VMRO-DPMNE-ja, në një deklaratë të shkurtër për TV24, kanë thënë se nuk shohin asgjë të diskutueshme në procedurën dhe procesin e klasifikuar.

Deri tani, në mënyrë konkrete nuk janë deklaruar as Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), as Agjencia e Inteligjencës, dhe as Drejtoria për Sigurinë e Informacioneve të Klasifikuara.

Sipas të dhënave të publikuara, Gjykata Penale më 21 maj 2026 ka nxjerrë aktgjykimin për Todorovskin, i cili ende figuron në evidencën penale.

Dënimi me kusht prej dy vitesh, me periudhë prove prej pesë vitesh, është bërë i plotfuqishëm më 18 maj 2023.

Kjo do të thotë se Todorovski, edhe në momentin e rikthimit në Agjencinë e Inteligjencës, gjatë marrjes së certifikatës për informacione të klasifikuara dhe në momentin e dërgimit të tij në Vjenë, zyrtarisht kishte statusin e personit të dënuar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër