Ilir Meta kërkon letërporosi në SHBA për dosjen e lobimit të LSI-së

Nga Xh M
1,219 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 qershor Zhurnal.mk – Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka bërë publike kërkesën që i ka paraqitur Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar që për çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA t’i dërgohet letërporosi drejtpërdrejt Departamentit amerikan të Drejtësisë.

Në reagimin e tij, Meta thekson se kërkesa synon sigurimin e të gjithë dokumentacionit, të dhënave bankare dhe materialeve që lidhen me kontratën e lobimit mes LSI-së dhe kompanisë amerikane GSIS, të nënshkruar në vitin 2016, të cilat sipas tij do të shërbenin për të provuar “pafajësinë” e tij.

Ai i kërkon gjykatës që t’i drejtohet autoriteteve amerikane për kontratën origjinale, çdo ndryshim të saj, faturat, pagesat, aktet e përfaqësimit, si dhe çdo dokument financiar që lidhet me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe të dhëna bankare dhe çdo nënkontratë të mundshme.

Në kërkesën e tij, Meta ngre gjithashtu pyetje mbi mënyrën e ekzekutimit të kontratës dhe rolin e palëve të ndryshme në pagesa, duke përfshirë edhe shtetasin Adrian Shatku, për të cilin kërkon dokumentacion shtesë mbi çdo transaksion të pretenduar.

Kreu i PL-së thekson se letërporosia duhet të trajtohet me urgjencë, pasi sipas tij lidhet drejtpërdrejt me lirinë personale dhe me të drejtën e mbrojtjes në procesin gjyqësor, ku ai ndodhet në paraburgim prej më shumë se 20 muajsh.

Çështja e lobimit të LSI-së në SHBA është një nga dosjet që po shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme, ndërsa Meta vijon të kundërshtojë akuzat, duke i cilësuar ato të pabazuara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër