ASH: Punonjësit e Klinikës së Fëmijëve protestojnë për paga, Azir Aliu fshihet pas “digjitalizimit”

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Aleanca për Shqiptarët ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me protestën e punonjësve të Klinikës së Fëmijëve, të cilët, sipas partisë, edhe pas muajsh pritjeje janë detyruar të dalin në protestë për të kërkuar pagat e tyre.

Në reagimin e saj, ASH akuzon ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliu, se në vend që të ofrojë zgjidhje konkrete për problemet me të cilat përballen punonjësit e shëndetësisë, vazhdon të flasë për “ekosistem” dhe “digjitalizim”.

“Ky nuk është ekosistem reformash, por ekosistem papërgjegjësie; nuk është digjitalizim i shtetit, por digjitalizim i propagandës”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Partia opozitare vlerëson se premtimet e VLEN-it për dinjitet dhe ndryshim nuk janë reflektuar në praktikë, duke theksuar se protestat e punonjësve të shëndetësisë për paga dëshmojnë, sipas saj, dështimin e qeverisjes në këtë sektor.

“Kur punonjësit e shëndetësisë protestojnë për paga, pushteti nuk ka të drejtë të flasë për suksese. Qeverisja nuk matet me fotografi, deklarata e vetëlavdërime, por me institucione që funksionojnë dhe me njerëz që trajtohen me respekt”, thekson ASH.

artikuj të ndërlidhura