Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj nga radhët e Aleancës, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha: “…Gjykata konform rregullave të procedurës penale të pandehurit i gjykon: Të pandehurin Pal Lekaj i shqiptohet burgim në kohëzgjateje prej 3 vitesh e 8 muaj i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë, i caktohet edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj ku i ndalohet ushtrimi i funksionit në admininistratën publike pas mbajtjes së dënimit me burgim”.
Ndërsa, të pandehurit Nebih Shatri i caktohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.
“Të pandehurit Nebih Shatri konform rregullave të Kodit penal të Republikës së Kosovës i caktohet edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 vite ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike dhe funksionet publike pas mbajtjes së dënimit me burg. Të pandehurit Eset Berisha i shqiptohet dënim më burgim prej tri vite e tre muaj, po ashtu i caktohet dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit ë funksioni në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh”.
Ndryshe, rasti ka të bëjë me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, lidhur me zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
