Berlin, 29 qershor, Zhurnal.mk – Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vlerëson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbeten në masë të madhe, të varura nga aleatët e tyre evropianë, pavarësisht retorikës që vjen nga Uashingtoni.
Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Die Welt”, Stoltenberg tha se, pavarësisht kritikave të vazhdueshme të presidentit amerikan, Donald Trump ndaj NATO-s, mbrojtja e SHBA-së nis në kufirin mes Evropës dhe Rusisë.
Stoltenberg, i cili aktualisht mban postin e ministrit të Financave të Norvegjisë, theksoi se në Gadishullin Kola të Rusisë, përballë kufirit norvegjez, ndodhet një nga arsenalet më të mëdha bërthamore në botë.
“Këto armë nuk janë të drejtuara ndaj Oslos, por ndaj Uashingtonit dhe Nju Jorkut. Norvegjia ndihmon në gjurmimin e nëndetëseve ruse sapo ato largohen nga bazat e tyre”, u shpreh ai.
Sipas Stoltenbergut, Norvegjia kontribuon gjithashtu, në sistemin e paralajmërimit të hershëm për lëshimin e raketave dhe ngritjen e avionëve ushtarakë.
“E njëjta situatë vlen edhe për Finlandën dhe shumë vende të tjera evropiane. Ky është një kontribut thelbësor për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Ish-kreu i NATO-s pranoi se mes SHBA-së dhe Evropës, ekzistojnë dallime që lidhen me tregtinë, klimën dhe çështjet e sigurisë.
Megjithatë, ai nënvizoi se mënyra më e mirë për të ruajtur forcën e NATO-s, është që Evropa të rrisë investimet në mbrojtje.
“Dhe pikërisht kjo pop ndodh. Gjermania tashmë është në rrugën e duhur për t’u bërë vendi investues më i madh evropian në fushën e mbrojtjes”, përfundoi Stoltenberg.
