Ismail: Ministria për Demografi ngriti duart për vonesën e kompensimeve përgjigjet me “nuk jemi kompetentë”

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 shttator, Zhurnal.mk – Deputeti nga Levica, Rexhep Ismail, publikoi se nga Ministria për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini ka marrë “përgjigje skandaloze dhe të turpshme ndaj pyetjes parlamentare të lidhur me vonesën e pagesave të kompensimit për pushimin e lindjes”.

Në shkresën zyrtare nga Ministria thuhet se institucioni “nuk është kompetent për këtë çështje”, pas së cilës Ismail u udhëzua që pyetjen e tij ta dorëzojë “te institucioni kompetent”.

“Cila është reagimi i institucionit që në emrin e vet mban ‘demografinë’ dhe detyrë themelore ka mbrojtjen sociale? Klasik transferim burokratik i topit”, reagoi Ismail.

“Ministria për Politikë Sociale ka kompetencë të përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave sociale dhe të punëtorëve, veçanërisht të nënave dhe të porsalindurve. Nëse shikoni dokumentet themeluese dhe bazike për Ministrinë, vetë Ministria thekson se në fushën e saj janë politika sociale, marrëdhëniet mes prindërve dhe fëmijëve, familja dhe fëmijët, mbrojtja e fëmijëve dhe grave, si dhe mbikëqyrja nga kompetenca e saj”, potencoi deputeti nga Levica.

Ai thekson se është e vërtetë që pagesa e kompensimit, pra realizimi financiar, shkon përmes Fondit për Sigurim Shëndetësor, por nënvizon se kjo nuk do të thotë që Ministria për Politikë Sociale mund të distancohet plotësisht nga problem që drejtpërdrejt i prek nënat, familjet dhe sigurinë e tyre sociale.

“Unë si deputet nuk kam të drejtë procedurale të parashtroj pyetje parlamentare drejtpërdrejt te FZOM dhe UJP, prandaj i drejtohem juve, krijuesve të politikave. Pyetje për këtë është dërguar edhe te Ministria e Shëndetësisë, por ky qëndrim i Ministrisë për Politikë Sociale është i papranueshëm”, thekson Ismail.

Deputeti nga Levica reagon edhe ndaj faktit që pikërisht Ministria e cila në emrin e saj ka demografinë shpallet jokompetente kur bëhet fjalë për problem që i prek nënat. “Duket se për ju ‘demografi’ është vetëm fjalë në tabelën para Ministrisë dhe kategori pazari në deklaratat e ministres së arsimit”, porositi ai.

Sipas Ismailit, ministër i përgjegjshëm nuk duhet të kënaqet me konstatimin se institucioni formalisht nuk e kryen pagesën, por të iniciojë koordinim mes organeve kompetente, ta hapë problemin para Qeverisë ose, nëse është e nevojshme, të propozojë zgjidhje sistemike dhe ligjore.

“Nënat nuk duhet të jenë viktima të inkompetencës suaj, dembelisë dhe diskordinimit institucional. Nevojitet zgjidhje sistemike, e jo justifikime burokratike”, porositi deputeti i Levicës, Rexhep Ismail.

artikuj të ndërlidhura