Ivanov: Maqedonia e Veriut po zhvillohet infrastrukturalisht me ritëm të përshpejtuar

Nga D. V.
750 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 korrik, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po zhvillohet infrastrukturalisht me ritëm të përshpejtuar. Po ndërtohen rrugë dhe autostrada në të gjitha pjesët e vendit. Investime të tilla në infrastrukturën rrugore, aktivitete të tilla ndërtimore në disa segmente njëkohësisht, në më shumë rajone të vendit, deri tani nuk kanë ekzistuar – thuhet në njoftimin e VMRO‑DPMNE‑së për konferencën për media të deputetit Dusko Ivanov.

“Përveç projekteve aktuale që ndërtohen me ritëm të pandërprerë, që nga muaji i ardhshëm, në gusht, fillon ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, projekt i cili për dekada vetëm është paralajmëruar, ndërsa realisht bliheshin vetëm parcela përgjatë trasës së parashikuar. Autostrada, me gjatësi 10,5 kilometra në terren jashtëzakonisht të vështirë në shpatet e Malit të Zi të Shkupit, ka vlerë totale prej 235 milionë eurosh, prej të cilave 30,8 milionë janë grant nga BERZH, ndërsa afati i ndërtimit është katër vjet. Shkup–Bllacë do ta lidhë Maqedoninë me Kosovën dhe më tej me Tiranën e Durrësin, si dhe me Barin. Me këtë, drejt Shkupit hapet edhe një port tjetër dhe një mundësi e re për tregti, biznes dhe zhvillim të turizmit. Nga ana tjetër, po punohet intensivisht në autostradën Ohër–Kërçovë dhe po zgjidhen problemet e trashëguara. Për këtë qëllim, u nënshkrua Aneksi i kontratës me të cilin përshpejtohet dinamika e ndërtimit dhe u ndryshua Rregullorja për kushtet teknike, duke ndryshuar përbërjen e asfaltit që të mundësohet vazhdimi i asfaltimit final”, tha ai.

Ivanov theksoi se Aneksi është efektuar dhe mjetet për përfundimin e projektit janë vënë në dispozicion; është arritur marrëveshje me kontraktorin për heqjen dorë nga procedura e arbitrazhit, me ç’rast shteti kursen 50 milionë euro; si dhe është gjetur zgjidhje për shpatet me të ashtuquajturat galeri.

“Paralelisht me zgjidhjen e këtyre problemeve të trashëguara, është përshpejtuar ndërtimi i autostradës, kështu që në përdorim për qarkullim janë lëshuar 37 kilometra të segmentit, ndërsa deri në tremujorin e parë të vitit 2027 pritet që autostrada Kërçovë–Ohër të përfundojë plotësisht. Me projektet e tjera kapitale infrastrukturore, përfshirë autostradat e korridoreve 8 dhe 10‑d, në Maqedoni po ndodh një bum i madh ndërtimor, deri tani i paparë në historinë e re të shtetit. Ndërtimi i këtyre arterieve autostradore është hap i rëndësishëm në realizimin e vizionit strategjik që Maqedonia të bëhet nyja kryesore e komunikacionit në Ballkan”, theksojnë nga partia në pushtet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër