Janevska: Dhuna nuk fillon në shkolla por më së shpeshti në familje

Nga D V
816 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 qershor, Zhurnal.mk – Pesë ministri, së bashku me institucione partnere, organizata joqeveritare dhe anëtarë të Grupit Kombëtar të Punës për parandalimin e dhunës tek të rinjtë, sot nënshkruan një Deklaratë për qëllime, me të cilën obligohen për bashkëpunim më intensiv në përballjen me këtë sfidë serioze shoqërore.

Dokumentin e nënshkruan Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Sportit, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, si dhe Ministria e Transformimit Digjital, ndërsa procesi u realizua me mbështetjen e OSBE-së.

Nënshkruesit u angazhuan për krijimin e një mjedisi më të sigurt shkollor, edukim për komunikim jodhunor, parandalim të dhunës në sport, forcim të sigurisë digjitale, përmirësim të shëndetit mendor dhe mbështetje psikosociale, si dhe koordinim dhe përgjegjësi më të mirë mes institucioneve.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, theksoi se dhuna mes të rinjve është dukuri që nuk mund të çrrënjoset plotësisht, por mund të reduktohet ndjeshëm përmes masave të koordinuara dhe të kohshme.

“Bëmë ndryshime ligjore me të cilat shkollat obligohen të planifikojnë aktivitete për promovimin e mirëqenies së nxënësve, mbrojtjen nga dhuna dhe diskriminimi, si dhe përmirësimin e komunikimit dhe respektit të ndërsjellë. Forcuam shërbimet profesionale dhe rikthyem kujdestaritë e mësuesve gjatë pushimeve”, tha Janevska.

Ajo kujtoi se janë përgatitur udhëzues për përballjen me dhunën mes bashkëmoshatarëve dhe dhunën kibernetike, të bazuar në shembuj praktikë dhe zgjidhje efektive.

“Të rinjtë nuk bëhen agresivë në shkollë, por agresionin më së shpeshti e sjellin nga familja. Në procedurë parlamentare janë ndryshime ligjore që parashikojnë gjoba financiare për prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve tek të cilët do të konstatohet dhunë mes bashkëmoshatarëve”, theksoi ministrja.

Janevska paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të nisë edhe një fushatë ndërsektoriale e fokusuar në parandalimin dhe përballjen me dhunën familjare dhe atë mes bashkëmoshatarëve. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër