Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese, i udhëhequr nga gjyqtarja Dobrilа Kacarska dhe këshilltari i Gjykatës Martin Trajanovski, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare „Për Kushtetutën, shtetin dhe demokracinë“, e cila u mbajt nga 1 deri më 4 tetor në Tivat, Mal i Zi.
Konferenca bashkoi kryetarë, nënkryetarë dhe gjyqtarë të gjykatave kushtetuese dhe të larta nga disa shtete evropiane, si dhe përfaqësues të lartë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe Komisionit të Venecias.
Në fokus të diskutimeve ishin sfidat kushtetuese dhe institucionale në procesin e integrimit evropian dhe sigurimi i sundimit efektiv të ligjit, ndryshimet kushtetuese në funksion të integrimit evropian dhe implikimet juridike nga transferimi i kompetencave sovrane drejt Bashkimit Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe përdorimit të mjeteve të bazuara në inteligjencën artificiale në gjyqësorin kushtetues, me theks mbi mundësitë për aplikimin e tyre, rreziqet potenciale për pavarësinë gjyqësore dhe dilemat etike që hap përdorimi i tyre në procesin e gjyqësorit kushtetues.
Ndër pjesëmarrësit e konferencës ishin kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Matias Guijomar, nënkryetarja e GJEDNJ-së Ivana Jeliq, si dhe kryetarë dhe gjyqtarë nga gjykatat kushtetuese dhe më të larta të Austrisë, Belgjikës, Gjermanisë, Kroacisë, Italisë, Sllovenisë, Estonisë, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
„Në kuadër të konferencës, gjyqtarja Dobrilа Kacarska realizoi takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Bullgarisë, Pavlina Panova. Në takim u konfirmua bashkëpunimi i suksesshëm mes dy gjykatave, si dhe përcaktimi për avancimin e mëtejshëm të tij përmes vazhdimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të praktikave më të mira“, njoftuan nga Gjykata Kushtetuese.
