Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Akademiku dhe profesori Vllado Kambovski vlerëson se provimi i jurisprudencës mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, por kandidatët duhet të kenë njohuri të përsosura të gjuhës maqedonase dhe terminologjisë juridike, në mënyrë që të mos ketë keqinterpretime në procedurat gjyqësore.
Në një deklaratë për “Lokalno”, Kambovski tha se rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk e kontestojnë gjuhën në të cilën mund të mbahet provimi i jurisprudencës, por fokusohen te mënyra e zhvillimit të procedurave gjyqësore.
“Rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk e prekin çështjen e gjuhës në të cilën do të zhvillohet provimi i jurisprudencës, por ato insistojnë që procedurat gjyqësore të zhvillohen në mënyrë që të mos dëmtohet asnjë procedurë dhe të sigurohet zbatim i drejtë i ligjit”, deklaroi ai, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas Kambovskit, përdorimi i gjuhëve të ndryshme në procedurat gjyqësore paraqet çështje komplekse, pasi mund të çojë në përkthime të pasakta ose interpretime të ndryshme juridike, duke ndikuar në drejtësinë e procedurës.
Ai theksoi se gjykatat dhe prokuroritë duhet të sigurojnë komunikim të qartë dhe korrekt mes palëve në procedurë, në mënyrë që të shmangen keqkuptimet dhe të garantohet zbatimi i drejtë i ligjit.
Kambovski shtoi se personalisht nuk është kundër mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, por sipas tij, kandidatët duhet të zotërojnë në mënyrë të përkryer gjuhën maqedonase dhe terminologjinë profesionale që përdoret në procedurat gjyqësore.
“Arritja e drejtësisë është prioritet kryesor. Përdorimi i gjuhës duhet të jetë në funksion të zbatimit të drejtësisë dhe kjo nuk duhet të rrezikohet në asnjë mënyrë”, tha Kambovski.
