Kallëzim penal ndaj ish-kryetarit të Vrapçishtit, Isen Shabani për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Nga D. V.
210 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 maj, Zhurnal.mk – Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gostivar kundër ish-kryetarit të Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.

Sipas njoftimit të Policisë Financiare, Shabani gjatë vitit 2025 ka lidhur kontratë për rikonstruksionin e një rruge lokale në fshatin Dobërdoll, edhe pse për procedurën e furnizimit publik kishte ankesë aktive dhe ende nuk ishte marrë vendim përfundimtar nga Komisioni Shtetëror për Ankesa në Furnizime Publike.

Autoritetet bëjnë të ditur se më pas Komisioni e kishte anuluar vendimin për zgjedhjen e kompanisë fituese, por pavarësisht kësaj, ish-kryetari kishte realizuar pagesë në vlerë prej 11 milionë e 848 mijë e 675 denarësh ndaj kompanisë së përzgjedhur.

Sipas Policisë Financiare, me këto veprime kompanisë i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm pasuror në vlerën e shumës së paguar.

Rasti është dorëzuar në procedurë të mëtejshme në Prokurorinë Themelore në Gostivar, e cila pritet të veprojë lidhur me kallëzimin penal.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër