Tiranë, 06 qershor, Zhurnal.mk – Në Bunec, në zonën e Piqerasit, po punohet për ndërtimin e një nënstacioni të ri elektrik. Nënstacioni ekzistues nuk i plotësonte më kërkesat aktuale për sigurinë e furnizimit me energji elektrike të zonës turistike, e cila ka njohur një zhvillim të shpejtë gjatë viteve të fundit.
Nënstacioni i ri, i cili pritet të jetë plotësisht në funksion me nisjen e sezonit turistik veror të vitit të ardhshëm, do të ketë një kapacitet disafish më të madh, si dhe pajisje të një teknologjie më të re, të cilat garantojnë furnizim më cilësor për të gjithë abonentët.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi inspektuan nga afër ecurinë e deritanishme të punimeve në këtë kantier.
Për të garantuar ofrimin e shërbimit, gjatë kryerjes së punimeve për nënstacionin e ri, është ndërtuar një nënstacion provizor. Ndërkohë, nënstacioni i ri, krahas rritjes së kapaciteteve, do të ofrojë më tepër siguri për të gjithë zonën bregdetare.
“Ky nënstacion ka dhe një vlerë të shtuar, jo vetëm për sigurinë e furnizimit, por ka një rol shumë të veçantë për mbylljen e unazës së fidrave që vijnë nga nënstacioni i Sarandës dhe fidrave që vijnë nga nënstacioni i Himarës. Përveçse garanton zonën rreth e rrotull Piqeras, Borsh, Shën Vasil, u jep garanci dhe zonave të tjera Qeparoit, edhe Qafë Gjashtës dhe deri në Sarandë. Pra, është një nënstacion që ka shumë funksione, shtim kapacitetesh, rritje sigurie dhe rezervim të fidrave që vijnë nga dy nënstacionet e tjera, Himara dhe Saranda”, tha Dalipi.
Duke vlerësuar investimin që po realizohet, i cili i jep zgjidhje një shqetësimi të banorëve dhe bizneseve të zonës, veçanërisht gjatë sezonit veror kur edhe fluksi i vizitorëve është shumë i lartë, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal tek masat e marra për mirëmenaxhimin e sezonit turistik.
Krahas investimeve të realizuara të cilat kanë rritur sigurinë në rrjetin e energjisë, OSHEE dhe OSSH kanë ndërmarrë një plan masash duke rritur numrin e grupeve të punës në terren për të bërë të mundur ndërhyrjen kudo ku do të evidentohen problematika për të garantuar ofrimin e shërbimit pa ndërprerje.
“Kemi hyrë pothuajse në pikun e sezonit turistik. Po diskutonim javën e kaluar që në fakt, pothuajse në fund të qershorit të javës së kaluar, ne kemi pasur ngarkesë më të lartë se dhe në pikun e muajit gusht të vitit të shkuar. Pra, që nënkupton që ngarkesat po fillojnë e vijnë në rritje dhe ne do shohim edhe ngarkesa më të larta që këtë fundjavë dhe duke vazhduar dhe muajin gusht. OSHEE-ja dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kanë ndërtuar një plan masash dhe të gjithë punonjësit tashmë janë në gatishmëri”, u shpreh Karakaçi.
