Kërkesat e PDK-së për Kuvendin e Qeverinë, Kushtetuesja nuk jep afat – thotë se lënda është në shqyrtim

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një afat konkret se kur pritet të marrë vendim lidhur me kërkesat për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurave që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në një përgjigje për Telegrafin, Gjykata ka bërë të ditur se çështja është duke u shqyrtuar në përputhje me aktet juridike në fuqi.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

Gjykata nuk ka dhënë detaje nëse dhe kur pritet të vendosë për kërkesën për masë të përkohshme, e cila është paraqitur lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar edhe zgjedhjen e Qeverisë së re, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të saj.

Kërkesa u dorëzua nga deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, pasi PDK-ja kishte kërkuar nga Kushtetuesja edhe masë të përkohshme lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit.

PDK-ja ka argumentuar se Qeveria është zgjedhur nga një Kuvend, konstituimi i të cilit sipas kësaj partie, është bërë në kundërshtim me Kushtetutën.

Seanca e konstituimit të Kuvendit nisi më 6 gusht dhe përfundoi më 13 shtator. Gjatë kësaj periudhe vazhdimet e seancave nuk janë mbajtur çdo 48 orë, ashtu siç e kërkon rregullorja.

Pas konstituimit tw Kuvendit, disa orë më vonë u votua edhe Qeveria e re.

Kuvendi u shpall i konstituuar pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.

Kryetarja dhe nënkryetari i parë nga LVV-ja ishin zgjedhur në seanca të mëparshme të të mërkurën dhe premten, përkatësisht.

PDK-ja nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare, kur LVV-ja nuk ia kishte votuar në seancën e të premtes.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”, dhe e vazhdoi procesin.

Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.

Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.

Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.

Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.

Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër