Këshilli Gjyqësor/ 7 kandidatë në garë për anëtar të ri

Nga Xh M
508 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 maj Zhurnal.mk – Shtatë kandidatë kanë hyrë zyrtarisht në garë për t’u zgjedhur anëtar i ri i Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të mandatit të anëtarit Selim Ademi në dhjetor të vitit të kaluar.

Në mesin e kandidatëve ka juristë, gjyqtarë, avokatë, bashkëpunëtorë profesionalë gjyqësorë dhe një ish-shef policie. Për vendin vakant kandidojnë: Sabedin Dauti, Artim Islami, Shpresa Dauti, Feuzi Xhaferi, Elvir Iseini, Fadil Xhelili dhe Fatmir Emrullau.

Kandidatët theksojnë se do të angazhohen për profesionalizëm, paanshmëri dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, nëse marrin mbështetjen për këtë funksion.

“Do të angazhohem që deri në fund të karrierës sime t’i respektoj këto principe, pra punën me ndershmëri, ndërgjegje, paanshmëri, respektim të ligjeve dhe sistemit të meritokracisë dhe profesionalizmit”, deklaroi Sabedin Dauti.

Ndërkohë, kandidatja Shpresa Dauti tha se prioritet do të ketë rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi.

“Unë do të kontribuoj në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, sepse e dimë që momentalisht besimi në gjyqësor është i ulët për shkak të një numri të madh gjykatësish, të cilët me punën e tyre gjatë viteve në lëndë të ndryshme, kanë bërë që gjyqësori të jetë shpesh në qendër të kritikave të medias dhe të Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.

Këshilli Gjyqësor konsiderohet organi më i lartë i pavarur në sistemin gjyqësor të vendit, me rol kyç në garantimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe respektimit të standardeve ligjore. Në kushtet kur besimi i qytetarëve ndaj drejtësisë mbetet i ulët, zgjedhja e anëtarëve të rinj shihet si një proces me rëndësi të veçantë për funksionimin e shtetit të së drejtës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër