Kina do të përparojë bashkëpunimin strategjik gjithëpërfshirës me cilësi të lartë me Vietnamin dhe do të përshpejtojë ndërtimin e një komuniteti të nivelit më të lartë Kinë-Vietnam me të ardhme të përbashkët që mbart rëndësi strategjike. Kështu tha të mërkurën presidenti i Kinës Xi Jinping gjatë bisedimeve homologun e vet vietnamez To Lam, i cili zhvilloi një vizitë shtetërore në Kinë.
Ky ishte udhëtimi i parë jashtë vendit i Lam-it që kur ai u zgjodh për një mandat të plotë si president i Vietnamit në fillim të këtij muaji.
Të dyja palët duhet të zbatojnë raundin e ri të planit të bashkëpunimit ndërmjet dy partive, të kryejnë shkëmbime të thella dhe të mësojnë në mënyrë të ndërsjellë mbi teoritë dhe përvojat në qeverisjen partiake e shtetërore, duke shfrytëzuar mirë dialogun strategjik Kinë-Vietnam “3+3” mbi diplomacinë, mbrojtjen dhe sigurinë publike, tha kreu i shtetit i Kinës.
Ai shtoi se të dy vendet duhet të punojnë së bashku për modernizimin e tyre, të përshpejtojnë harmonizimin e strategjive të zhvillimit dhe të çojnë përpara ndërlidhjen infrastrukturore.
Xi u bëri thirrje gjithashtu të dyja palëve të forcojnë bashkëpunimin në fushat e reja si inteligjenca artificiale, gjysmëpërçuesit dhe interneti i gjërave, duke shtuar se më shumë produkte vietnameze me cilësi të lartë janë të mirëpritura të hyjnë në tregun kinez.
Ai propozoi nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në turizëm, kulturë, media, arsim, shëndetësi, sport dhe fusha të tjera, duke njoftuar nisjen e vitit të bashkëpunimit turistik Kinë-Vietnam 2026-2027.
Kina dhe Vietnami duhet të mbështesin parimet e paqes, zhvillimit e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë dhe të punojnë së bashku për të kundërshtuar unilateralizmin e proteksionizmin, tha Xi. Ai shtoi se të dyja palët duhet të mbrojnë sistemin global të tregtisë së lirë dhe të mbajnë zinxhirët industrialë e të furnizimit të qëndrueshëm dhe të lirshëm.
Ai vuri në dukje se të dyja palët duhet të bashkojnë forcat për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale, Nismën e Qytetërimit Global dhe Nismën e Qeverisjes Globale, duke punuar së bashku për të përballuar sfidat globale.

Ndërsa Lam theksoi nga ana e tij që Vietnami do ta konsiderojë me vendosmëri zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën si domosdoshmëri objektive, zgjedhje strategjike e përparësi kryesore dhe do të vazhdojë të mbështesë politikën e “një Kine”. Ai shtoi që pala vietnameze është e gatshme të forcojë komunikimin strategjik dhe koordinimin strategjik të nivelit të lartë me palën kineze.
Lam tha më tej se Vietnami do të rrisë nivelin e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, investimeve, hekurudhave dhe infrastrukturave të tjera, si edhe në turizëm, dhe do të forcojë bashkëpuniminin në arsim, trajnim, shkencë e teknologji, shkëmbimet njerëzore dhe në nivel pushteti vendor.
