Shkup, 2 mars – Nga Brukseli dhe Evropa nuk ka asgjë të re, vazhdon larmia e deklaratave; nëse duam të jemi brutalë, mund të themi kakofoni nga Evropa, tha Emil Kirjas, analist dhe ekspert i gjeopolitikës, në edicionin e mbrëmshëm tek Telma, në lidhje me qëndrimet për politikën ndërkombëtare dhe përshkallëzimin e përplasjeve në Lindjen e Mesme pas sulmeve ajrore amerikano-izraelite ndaj Iranit.
“Nuk ka qëndrim të unifikuar, nuk ka pozicion të përbashkët dhe ajo që është më shqetësuese dhe që mua më zhgënjen si evropian është se nuk ka asgjë nga paralajmërimi i Komisionit Evropian se do të jetë një Komision gjeopolitik, pra se Unioni do ta marrë përsipër rolin e vet gjeopolitik. Shohim se Evropa është e befasuar, pavarësisht se pati grumbullim masiv të marinës amerikane në Oqeanin Indian, në Lindjen e Mesme dhe në Mesdhe. Në vend që Evropa të jetë proaktive, në vend që të jetë ajo forcë që do të dominojë me politikën dhe rolin e saj, ajo sërish është reaktive, por me qëndrime të ndryshme”, thotë Kirjas.
