Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Ministria e Shëndetësisë së bashku me Bankën botërore dhe Bankën investuese evropiane punon në sigurimin e 195 milionë eurove kredi për përfundimin e projekteve në spitalet klinike në Shtip dhe Tetovë dhe Spitalin e përgjithshëm Kërçovë dhe pres deri në fund të vitit Qeveria ta dakordojë aranzhmanin me çka do të fillojë realizimi i tri projekteve të shumëpritura, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski në mbledhjen e Kuvendit për pyetje të deputetëve nga opozita.
Duke u përgjigjur në pyetjen e deputetes Rina Ajdari nga Fronti evropian për, sipas saj, bllokadë për investime në Spitalin klinik – Tetovë, ai theksoi se kohë më parë është zgjidhur edhe problemi shumëvjeçar me kontrata në vepër në këtë institucion dhe transformimi i tyre në punësime të rregullta.
Lidhur me pyetjen e Ajdarit, se sa është shkalla e realizimit të skriningut të gjirit në Rajonin e Pollogut në 20 muajt e fundit, ministri i Shëndetësisë iu referuar të dhënave të Entit shtetëror për revizion dhe revizionit të skriningut të programeve në periudhën 2021-2024, kur mandat kishte qeveria e kryesuar nga LSDM-ja. Në vitin 2024 në skriningun e gjirit janë përfshirë 17.000 mamografi, për dallim nga viti 2021 kur janë përfshirë 651 mamografi.
Për momentin, siç theksoi, kanë bërë evaluim dhe rimendim të programeve të skriningut dhe se nesër do të marrë pjesë në punëtori me përfaqësues nga shoqata e pacientëve Hema-Onko dhe me profesionistë nga jashtë, përfshirë edhe drejtoreshën për programe nacionale skriningu nga Sllovenia, ku do të bisedohet si t’i bëjnë programet më efikase.
Lidhur me të dhënat dhe gjendjet me mamografinë në Spitalin klinik – Tetovë, paralajmëroi përgjigje me shkrim.
