Kongresi i 10-të i Traumës, Begaj: Kërkohet sistem kombëtar për akses cilësor për çdo qytetar

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Në Tiranë u zhvillua sot kongresi i 10-të shqiptar i Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente, organizuar nga Shoqata shqiptare e Traumës dhe Kirurgjisë Emergjente (ASTES) me pjesëmarrjen e profesionistëve të fushës së mjekësisë dhe kirurgjisë.

Kongresi përbën një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, prezantimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit profesional në fushën e traumës dhe kirurgjisë emergjente.

Në punimet e kongresit ishte i pranishëm edhe Presidenti Bajram Begaj, i cili gjatë fjalës përshëndetëse theksoi rëndësinë strategjike të sistemit të traumës për shëndetin publik.

“Trauma dhe kirurgjia e urgjencës nuk duhen trajtuar thjesht si një specialitet mjekësor. Ato janë çështje të shëndetit publik dhe, në një kuptim të veçantë, janë shtyllë e sigurisë sonë kombëtare”, tha Begaj.

Presidenti i Republikës theksoi nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit të traumës, me koordinim të plotë të të gjitha hallkave të kujdesit shëndetësor, nga ndërhyrja e parë në vendngjarje, deri te rehabilitimi i pacientëve.

“Shqipërisë i duhet një sistem kombëtar i traumës gjithnjë e më i integruar,  me protokolle të njëtrajtshme, koordinim dhe akses cilësor për çdo qytetar, pavarësisht vendit ku ai ndodhet. Gjatë viteve, vendi ynë ka ngritur kapacitete të rëndësishme. Spitali Universitar i Traumës, shoqatat profesionale, Universiteti i Mjekësisë dhe veprimtari si ky kongres kanë konsoliduar përvojën e një komuniteti profesionistësh që meriton mirënjohje të thellë”.

Duke iu referuar përvojave të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, Begaj tha theksoi rëndësinë e gatishmërisë dhe bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore, emergjencave civile, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura, që duhet të funksionojnë si një mekanizëm i unifikuar.

Presidenti Begaj u ndal, gjithashtu, te zhvillimet teknologjike në mjekësi. Duke vlerësuar potencialin e inteligjencës artificiale, kirurgjisë robotike dhe teknologjive të reja diagnostikuese, Presidenti i Republikës u shpreh: “Teknologjia duhet t’i shërbejë mjekut dhe pacientit, jo ta largojë mjekun nga pacienti”.

Ndërkohë, në një mesazh të veçantë drejtuar mjekëve të rinj dhe studentëve, Presidenti i Begaj theksoi rëndësinë e hulumtimit të vazhdueshëm profesional dhe të përkushtimit ndaj pacientit gjatë gjithë karrierës.

“Investimi në formimin tuaj dhe krijimi i mundësive që ju mbajnë të lidhur profesionalisht me Shqipërinë është investimi më i mençur në të ardhmen e shëndetësisë sonë”, tha Begaj.

Në përfundim, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e mjekëve, kirurgëve, infermierëve dhe ekipeve të urgjencës në shpëtimin e jetëve.

Begaj e cilësoi Kongresin Shqiptar të Traumës dhe Kirurgjisë së Urgjencës si një platformë të rëndësishme bashkëpunimi.

Në kuadër të aktivitetit, rektori Prof. Dr. Xheladin Draçini u nderua me titullin “Honorary Member of ASTES”, në vlerësim të kontributit dhe bashkëpunimit të tij në fushën e traumës dhe kirurgjisë emergjente.

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Xheladin Draçini, në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për shkëmbimin e përvojave profesionale, promovimin e kërkimit shkencor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve dhe institucioneve shëndetësore e akademike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër