Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – LSDM-ja i kërkon sërish kryeministrit Hristijan Mickoski të sqarojë nëse ekziston lidhje mes aktiviteteve të tij në Uashington dhe lobimit që kompania amerikane “Mercury Public Affairs” kryen për “ATS Group” nga Shkupi, prodhuese e municionit dhe pajisjeve ushtarake.
Zëdhënësja Bogdanka Kuzeska tha se dokumentet e regjistrit amerikan për agjentët e huaj tregojnë se “ATS Group” paguan 130 mijë dollarë në muaj, ose rreth 1,56 milion dollarë në vit, për shërbime lobimi.
Sipas LSDM-së, në regjistrin amerikan figuron edhe një material për partneritetin strategjik SHBA–Maqedoni e Veriut, ku trajtohen energjetika, mbrojtja dhe marrëveshje të mundshme me kompani amerikane, ndërsa si klient përmendet “ATS Group”.
Opozita e lidhi çështjen edhe me pronarin e kompanisë, Shefshet Demirovski. Duke iu referuar një raportimi të BIRN-it, LSDM-ja përmendi një procedurë në Serbi lidhur me dyshime për ryshfet dhe një pagesë prej 250 mijë eurosh nga një person që po gjykohet atje në një rast të kontrabandës ndërkufitare të kokainës.
