Kosova dhe Austria firmosin marrëveshje: Familjarët e diplomatëve do të kenë të drejtë pune

Nga D. V.
591 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 26 qershor, Zhurnal.mk – Anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor do të kenë mundësi të punojnë në shtetin pritës gjatë periudhës së shërbimit.

Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, e cila u mundëson anëtarëve të familjeve të diplomatëve dhe personelit konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë kohës së shërbimit në shtetin pritës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se marrëveshja synon të krijojë kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dy vendeve, duke u lehtësuar integrimin dhe angazhimin profesional gjatë misioneve diplomatike.

“Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, zëvendësministri Kreshnik Ahmeti zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, Nikolaus Marschik. Gjatë takimit u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Sipas MPJD-së, marrëveshja përfaqëson një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke ofruar mbështetje më të madhe për familjet e personelit diplomatik të të dy shteteve./Albinfo

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër