Kryeministri i Malit të Zi refuzon planin italian: Nuk pranon ngritjen e qendrave për migrantë

Nga Xh M
708 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Podgoricë, 4 gusht Zhurnal.mk – Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, deklaroi të martën se në Mal të Zi nuk do të ndërtohen qendra pritëse për migrantët e paligjshëm. Ai reagoi pas raportimeve në media se qeveria italiane e ka përfshirë Malin e Zi në listën e vendeve ku synon të propozojë ngritjen e qendrave të tilla.

Në një postim në rrjetin social X, Spajić theksoi se nuk ka pasur asnjë bisedë me Bashkimin Evropian për këtë çështje.

“Mali i Zi nuk ka zhvilluar negociata për ngritjen e qendrave të tilla në territorin e tij dhe Qeveria nuk ka marrë asnjë iniciativë zyrtare për hapjen e tyre. Nëse një iniciativë e tillë do të paraqitet, përgjigjja jonë do të jetë negative”, shkroi Spajić.

Plani italian sipas modelit të Shqipërisë

Mediat malazeze, duke iu referuar agjencisë italiane ANSA dhe burimeve diplomatike, raportuan se Mali i Zi ndodhet në listën paraprake të vendeve ku Bashkimi Evropian mund të krijojë qendra të reja për pritjen dhe riatdhesimin e migrantëve të paligjshëm.

Sipas këtyre raportimeve, ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, pritet ta prezantojë planin para homologëve të tij nga vendet anëtare të BE-së në një mbledhje të jashtëzakonshme. Plani bazohet në zgjerimin e modelit aktual që Italia ka me Shqipërinë edhe në vende të tjera jashtë Bashkimit Evropian.

Ndryshe nga marrëveshja mes Romës dhe Tiranës, qendrat e reja do të financoheshin drejtpërdrejt nga fondet evropiane dhe buxheti i përbashkët i BE-së.

Përveç Malit të Zi, në listën e vendeve potenciale për ngritjen e këtyre qendrave për përpunimin e dokumentacionit të migrantëve përfshihen edhe:

  • Tunizia
  • Libia
  • Egjipti
  • Ruanda
  • Gana
  • Senegali
  • Mauritania
  • Uganda
  • Uzbekistani
  • Armenia
  • Etiopia

Qëndrimi i Malit të Zi

Nisma lidhet me rritjen e presionit migrator, veçanërisht pas zhvillimeve në enklavën spanjolle të Ceutës në Afrikën e Veriut, ku u regjistrua hyrja e rreth 50.000 migrantëve dhe dhjetëra persona humbën jetën.

Kryeministri Spajić theksoi se Mali i Zi mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian në mbrojtjen e kufijve të përbashkët dhe menaxhimin e flukseve migratore.

“Megjithatë, çdo vendim që lidhet me vendin tonë do të merret me përgjegjësi, transparencë dhe vetëm në përputhje me interesat e qytetarëve të Malit të Zi”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër