Ligji i ri për lojërat e fatit, Mickoski: Vendosim rend dhe disiplinë

Nga B.M
1,087 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se me ligjin e ri për lojërat e fatit synohet të vendoset rend dhe disiplinë në këtë sektor, duke theksuar se shteti nuk mund të ngjajë me “Las Vegasin”.

Sipas Mickoskit, në periudhën e kaluar kazinotë, bastoret dhe reklamat agresive për lojërat e fatit janë përhapur pothuajse në çdo hap, duke krijuar pasoja serioze sociale dhe familjare.

“Kemi ndjenjën se shteti ngadalë por sigurt po i ngjante Las Vegasit. Fjalë për fjalë, në çdo hap shihnim lokale me reklama të ndritshme që promovonin këtë lloj ‘fati’, para së gjithash kazinotë dhe bixhozin, ndërsa pranë tyre zakonisht kishte zyra për kredi të shpejta dhe pengjtore. Ky është një sistem që duhet ta rregullojmë dhe për fat të keq është shkak për shumë tragjedi familjare dhe njerëzore”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se ligji i ri do ta rregullojë këtë veprimtari dhe nuk do të lejojë më reklama të tilla që tërheqin vëmendjen e qytetarëve.

“Në disa vende kishte lagje të tëra me disa kazino. Me këtë ligj, të vetëdijshëm edhe për pasojat dhe efektin fiskal, vlerësojmë se duhet të vendoset rend dhe disiplinë në lojërat e fatit dhe se shteti nuk mund të ngjajë me Las Vegasin”, theksoi kryeministri.

Mickoski shtoi se pret që me zbatimin e ligjit të ri të mos ketë organizim ilegal të lojërave të fatit, megjithëse pranoi se mund të ketë edhe humbje të vendeve të punës në këtë sektor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër