Ligji për Arsim të Lartë, Selmani: Ligji dëmton universitetet shqiptare

Nga Xh M
153 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 prill Zhurnal.mk – Profesori universitar Bashkim Selmani kundërshton propozim-Ligjin për Arsimin e Lartë duke vlerësuar se ndryshimet e fundit nuk adresojnë problemet reale të sistemit, por kanë karakter formal dhe politik, duke rrezikuar funksionimin dhe zhvillimin e universiteteve. Selmani vë theks të veçantë te fakti se ligji, sipas tij, favorizon Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërsa dëmton drejtpërdrejt universitetet shqiptare, të cilat i cilëson si më të reja dhe me nevojë për zhvillim të mëtejshëm, përfshirë avancimin e kuadrove dhe programeve akademike. Një ndër kritikat kryesore lidhet me mungesën e një indeksi shtetëror të integritetit akademik. Ai thekson se ligji nuk trajton çështje thelbësore si korrupsioni në arsimin e lartë, nepotizmi, politizimi i universiteteve, mungesa e vetingut në thirrjet akademike, si dhe pabarazitë në qasjen ndaj publikimeve shkencore.

“Fatkeqësisht qëllimi i këtij ligji është të favorizojë Universitetin “Kirili dhe Metodi” dhe nga ana tjetër të godasë drejtpërsëdrejti universitetet shqiptare. Dhe kjo është ajo pjesa se, ne vlerësojmë se të gjitha universitetet shqiptare kanë reaguar në kohën dhe momentin e fundit sa i përket vlerësimeve të tyre, ndërhyrjeve, etj.. Mirëpo, a ka varshmëri dhe ku cënohet ose ku preket autonomia e çdo universiteti. Dihet se universitetet shqiptare janë relativisht të reja dhe kanë nevojë për avancime, plotësime, kuadro të reja, etj.. Nga ana tjetër shohim se brenda viteve jo vetëm që janë goditur në aspektin sistematik, Universiteti i Tetovës arriti të mos ketë doktoratura për shkak të një pabaze, mbështetja e rangimit sa i përket universiteteve dhe kjo e bën që drejtpërsëdrejti jo vetëm të plotësohen ato rrethana ku duhet bërë por kemi ndërhyrje të drejtpërdrejtë sa i përket përfaqësuesve që në propozimin e parë ishte pesë antarë për ndërhyrjet në Këshill, tani siç duket e kanë ulur atë numër në tre.”, u shpreh profesori universitar Bashkim Selmani.

Selmani apelon që ligji të mos miratohet nga deputetët shqiptarë, duke theksuar se i ai nuk reflekton nevojat e universiteteve shqiptare.

“Çfarë parasheh? Drejtpërsëdrejti t’i godasë universitetet shqiptare dhe unë besoj se ngritja e zërit është bërë në aspektin e plotësimeve dhe detyrimeve të tjera mirëpo nuk është bërë në aspektin real dhe do të apeloj se jo vetëm që s’duhet të kalojë ky ligj por që në as një mënyrë nuk duhet të votohet nga përfaqësuesit dhe deputetët shqiptarë.”, u shpreh Selmani.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, kanë deklaruar se shtatë rektorët e universiteteve në vend janë pajtuar me përmbajtjen e ligjit, duke e konsideruar atë si hap përpara në drejtim të reformimit të arsimit të lartë. Megjithatë, profesori universitar insiston se pa përfshirjen e plotë të universiteteve shqiptare dhe pa adresimin e problemeve thelbësore, ky ligj rrezikon të thellojë pabarazitë ekzistuese në sistemin e arsimit të lartë në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër