Limani: Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas në kuadër të “Tetorit Rozë”

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Gostivar, 15 tetor Zhurnal.mk – Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas për gratë dhe vajzat, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, të njohur si “Tetori Rozë”.

Këtë e bëri të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, duke theksuar rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje.

“Ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm janë thelbësorë për mbrojtjen e shëndetit të grave. Edhe këtë vit, Komuna e Gostivarit do të ndajë 100 vauçerë për mamografi falas, me qëllim që të mbështesim gratë dhe vajzat dhe të inkurajojmë kontrollet e rregullta parandaluese”, theksoi Limani.

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Shoqatën “Ezra”, organizoi edhe punëtorinë informative me të njëjtin emër, ku gratë dhe vajzat e pranishme patën mundësinë të informohen dhe të bashkëbisedojnë me profesionistë shëndetësorë për kancerin e gjirit, rëndësinë e kontrolleve dhe mundësitë për diagnostikim të hershëm.

Në punëtori morën pjesë dr. Miranda Izairi, specialiste e radiologjisë, dhe dr. Ilir Ismaili, onkolog, të cilët ndanë informacione dhe këshilla për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit.

Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Gostivarit synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të nxisë gratë që t’i kushtojnë më shumë rëndësi kontrolleve parandaluese.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër