Shkup, 20 Prill, Zhurnal.mk – Partia opozitare maqedonase, LSDM, ka bërë thirrje për mbajtjen e një referendumi me qytetarët e komunës së Krivopalankës për shkak të planeve të qeverisë për të hapur një minierë për xehen Antimon në fshatin Luke.
“Ne kërkojmë një referendum lokal për minierën e antimonit dhe përmbushjen e kushteve kryesore,” tha në një komunikatë dje partia social-demokrate e udhëhequr nga Vendo Filipçce, duke vënë theksin në brengosjen për arsyet e ambientit dhe shëndetit për banorët e zonës në fjalë.
“Duhet të ketë një debat më të gjerë publik rreth njoftimit të Mickoskit për të hapur një minierë antimoni në Luke, Krivopalankë, dhe sigurisht, duhet të pyeten qytetarët, në mënyrë që ata të mund të vendosin. Kjo është një çështje serioze, ka të bëjë me mënyrën se si ky vend vendos për burimet e tij, shëndetin e qytetarëve të tij dhe të ardhmen e komuniteteve lokale,” tha LSDM.
Në këtë kontekst, kjo parti tha se nëse qeveria nuk ka mundur që të zgjidhë çështjen e minierës në fshatin Lojana të Likovës, pse do të duhej hapur tash minierë të re në Luke të Krivopalankës.
“Nëse shteti nuk mund ta zgjidhë problemin e Lojanes, atëherë nuk ka besueshmëri për të hapur miniera të reja. Për projekte të tilla, qytetarët duhet të konsultohen dhe të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes.
Ne kërkojmë debate publike me ndikim të vërtetë, një referendum lokal dhe përfshirjen e publikut profesional dhe lokal. Sepse kjo nuk është një çështje teknike, por një çështje e shëndetit dhe e së ardhmes,” vazhdoi tutje partia opozitare, e cila thotë se është në favor të investime por “jo me një rrezik të lartë për shëndetin e qytetarëve.”
“Ne kërkojmë debate publike me ndikim të vërtetë, një referendum lokal dhe përfshirjen e publikut profesional dhe lokal. Sepse kjo nuk është një çështje teknike, por një çështje e shëndetit dhe e së ardhmes,” tha LSDM, duke thirrur qeverinë të merret “urgjentisht” problemet ekzistuese mjedisore.
“Pa këtë, ajo [qeveria] nuk mund të këmbëngulë në hapjen e minierave të reja,” tha partia opozitare, duke kërkuar poashtu transparencë të plotë për qytetarët.
Ajo ndër të tjera kërkoi edhe garanci financiare paraprake nga investitori për riparimin e çdo dëmi të mundshëm; monitorim të pavarur me të dhëna publike të disponueshme në kohë reale; përfitim i drejtpërdrejtë lokal për bashkinë dhe qytetarët; kujdes shëndetësor dhe monitorim i vazhdueshëm i popullsisë i financuar nga investitori.
“Nëse këto kushte nuk plotësohen, atëherë është më mirë të mos kesh minierë,” konkludon në komunikatë LSDM-ja.
Më herët këtë muaj, qeveria amerikane ndau 5 milion dollarë për qeverinë e Maqedonisë së Veriut për të filluar mihjen e xehes Antimony në tre vende.
Antimon është xehe nëntokësore që përdoret për t’i bërë metalet të tjera më të forta, shkruan Zhurnal.mk.
Hulumtimet e deritashme thonë se Antimon ka në tre vende në Maqedoni të Veriut: në afërsi të Kriva Palanka (Projekti Krstov Dol); në fshatin Lojan të komunës së Likovës si dhe në bjeshkët e Kozhuf (miniera Alshar) në komunën e Kavadarcit.
