Hoxha takim me Komisioneren Kos: Perspektiva evropiane e Shqipërisë e ndërtuar mbi rezultate konkrete

Nga D. V.
94 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Ministri për Evropën  dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot në Bruksel me Komisioneren për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Marta Kos.

Ministri Hoxha njoftoi se në fokus ishte procesi i avancuar i negociatave të anëtarësimit, me theksin te rëndësia e ruajtjes së momentumit aktual dhe vijimit përpara me konsistencë në këtë rrugë.

Zgjedhja e Shqipërisë, sipas Hoxhës, është e qartë: rruga e saj drejt BE-së është e ndërtuar mbi angazhime të forta, reforma të qëndrueshme dhe rezultate konkrete.

Ministri i Jashtëm informoi po ashtu se në takim u diskutua gjithashtu zbatimi i agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, i cili, në rastin e Shqipërisë, përplotëson procesin e anëtarësimit në BE dhe sjell përfitime të prekshme për qytetarët.

Hoxha nënvizoi se, “harmonizimi i vazhdueshëm me standardet e BE-së, forcimi i sundimit të ligjit dhe i një gjyqësori të pavarur e profesional, si dhe progresi i qëndrueshëm në të gjithë grupkapitujt e negociatave mbeten prioritetet tona të përditshme”.

Përgjatë takimit, u theksua edhe rëndësia e një komunikimi të qartë mbi përfitimet dhe mbi përgjegjësitë e zgjerimit, me synim rritjen e mbështetjes publike dhe nxitjen e transparencës.

Nga ana e saj, Komisionerja Marta Kos vlerësoi progresin e arritur nga Shqipëria dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave, duke rikonfirmuar se procesi i zgjerimit mbetet një proces i bazuar në meritë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër