LSDM: Siljanovska-Davkova po mbron interesat e VMRO-DPMNE-së, jo të qytetarëve

Nga I.A
999 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 korrik, Zhurnal.mk – LSDM ka reaguar ndaj deklaratave të presidentes Gordana Siljanovska-Davkova për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke e akuzuar se mbron interesat e VMRO-DPMNE-së dhe jo të të gjithë qytetarëve.

Nga LSDM thonë se presidentja ka ngritur çështjen e votimit të diasporës, por nuk ka dhënë përgjigje për disa tema të rëndësishme që lidhen me procesin zgjedhor.

Sipas opozitës, nëse Siljanovska-Davkova ishte vërtet për një qeveri teknike që do të garantonte zgjedhje të ndershme, ajo nuk do të kishte nënshkruar dekretin për shfuqizimin e saj. Gjithashtu, LSDM e kritikon që nuk ka shprehur qëndrim të qartë për votimin elektronik dhe pretendon se VMRO-DPMNE këmbëngul në një model që zbatohet vetëm në disa vende.

LSDM akuzon gjithashtu presidenten se nuk ka reaguar për, siç thonë ata, rastet që lidhen me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, gazetarin Dragan Pavloviq Latas dhe kthimin e objektit të njohur si “Pallati i Bardhë”, duke vlerësuar se këto zhvillime dëmtojnë sundimin e ligjit dhe barazinë para drejtësisë.

“Në vend që të trajtojë këto çështje, presidentja ka zgjedhur të flasë vetëm për pjesë të Kodit Zgjedhor që i përshtaten VMRO-DPMNE-së. Ky nuk është shqetësim për diasporën, por një qëndrim politik që mbron pushtetin, jo interesat e qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër