Shkup, 17 shkurt – Lidhja e Sindikatave sot, duke bllokuar qasjet drejt Qeverisë, do të kërkojë rritje të pagës minimale në 600 euro dhe të të gjitha pagave të tjera me 100 euro. Qeveria është institucioni i tretë që do të bllokohet nga sindikata pasi javln e kaluar u bllokuan Kuvendin dhe Oda Ekonomike.
Bllokada, siç sqarojnë nga LSM-ja, është për shkak se Qeveria dhe punëdhënësit nuk kanë rënë dakord për rritje të pagave të punëtorëve dhe sepse vitin e kaluar Qeveria nuk e pranoi propozimin për të subvencionuar një pjesë të kontributeve.
Me nga 21 persona, siç kërkon Ligji për tubime publike, do të bllokohen hyrjet e Qeverisë, e cila sot duhet të mbajë një seancë të rregullt.
Nga LSM-ja presin se do të gjejnë mirëkuptim dhe theksojnë se Qeveria ka mundësinë në seancë të marrë vendim për rritjen e pagave të punëtorëve.
“Bllokada e fundit para Qeverisë është pikërisht për shkak se ajo ka bllokuar pagat e punëtorëve për një periudhë të gjatë kohore gjatë së cilës vlera e shportës minimale të sindikatës është rritur për 9.250 denarë, ose një familje me katër anëtarë është më e varfër për 9.250 denarë. Ka rënë edhe argumenti i fundit i përfaqësuesve të qeverisë të cilët, së bashku me shefat, kanë folur vazhdimisht për këtë periudhë, e ai është se punëtorët e RMV-së nuk kanë qenë produktivë. Punëtorët e RMV-së janë tepër produktivë për pagat që marrin, ose vetëm 17 për qind e asaj që krijojnë si kapital për punëdhënësit derdhet në pagat e punëtorëve, ose për shembull, 24.379 denarë është paga minimale mujore për një punëtor, ndërsa 290.000 denarë është produktiviteti që punëtori krijon për punëdhënësin”, tha dje kryetari i LSM-së Slobodan Trendafilov.
Me këtë, LSM-ja, pas protestës së mbajtur më 28 janar, realizon bllokadat e paralajmëruara të institucioneve. Nëse nuk gjejnë mirëkuptim, paralajmërojnë organizimin e një proteste tjetër dhe një greve të përgjithshme, e cila sipas informacioneve, do të jetë 24-orëshe.
Kërkesën për rritjen e pagave, LSM-ja e bazon në rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e vlerës së shportës së konsumatorit të sindikatës. Nëse sindikata dështon në kërkesat e saj për rritje të pagave, punëtorët që marrin pagën minimale në prill, sipas llogaritjeve, do të marrin një rritje prej 1.500 deri në 1.700 denarë.
