Macron: Një sulm ndaj Qipros është një sulm ndaj gjithë Evropës

Nga D. V.
818 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi sot se çdo sulm ndaj Qipros duhej të konsiderohej si një sulm ndaj gjithë Bashkimit Evropian, sipas “France24”.

Deklarata e tij erdhi gjatë vizitës së tij në ishull, pas sulmeve me dronë që dyshohet se janë kryer me sisteme të prodhimit iranian.

Macron mbërriti në qytetin e Paphos, ku zhvilloi takime me presidentin qipriot, Nikos Christodoulides dhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Liderët diskutuan për masat e mbrojtjes dhe koordinimin e sigurisë në rajonin e Mesdheut Lindor.

Vizita e Macron vjen pasi Franca dërgoi forca ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle”, një fregatë dhe njësi të mbrojtjes ajrore.

Sipas Pallatit “Élysée”, këto masa synojnë të forcojnë praninë ushtarake për të garantuar sigurinë e Francës, qytetarëve të saj dhe aleatëve në rajon.

Macron ka planifikuar të vizitojë edhe aeroplanmbajtësen franceze, e cila ndodhet pranë ishullit të Kretës.

Sipas autoriteteve qipriote, takimi mes Francës, Greqisë dhe Qipros shërben për të vlerësuar nivelin e koordinimit mes tre vendeve, si dhe për të analizuar gatishmërinë mbrojtëse dhe planet operacionale përballë kërcënimeve në rajon.

Sulmet me dronë ndaj Qipros javën e kaluar e nxitën Francën të dërgojë aeroplanmbajtësen “Charles de Gaulle” në Mesdhe. Parisi ka theksuar se prania e saj është “rreptësisht mbrojtëse”.

Gjatë ditës, Macron zhvilloi edhe biseda për sigurinë rajonale me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ndërsa një ditë më parë kishte kontakte edhe me zyrtarë amerikanë dhe iranianë për situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe në Liban.

Në diskutimet gjatë vizitës në Qipro u përfshinë gjithashtu çështje si liria e lundrimit dhe siguria detare në Detin e Kuq dhe në Ngushticën e Hormuzit, zona ku janë regjistruar sulme ndaj anijeve tregtare që nga fundi i shkurtit.

Një fregatë franceze është aktualisht pjesë e misionit të Bashkimit Evropian “Operacini Mburoja”, i cili synon mbrojtjen e anijeve tregtare nga sulmet e forcave Houthi, të mbështetura nga Irani në Detin e Kuq.

Sipas Pallatit “Elysee”, dërgimi i aeroplanmbajtëses është pjesë e përpjekjeve më të gjera të Evropës për të mbështetur aleatët, për të mbrojtur rrugët strategjike detare dhe për të qenë gati për reagim të shpejtë në rast të sulmeve të tjera në Mesdheun Lindor.

Macron theksoi se kërcënimet ndaj një vendi anëtar të Bashkimit Evropian përbëjnë një shqetësim për të gjithë Evropën dhe kërkojnë përgjigje të përbashkët për sigurinë e rajonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër