Maqedonia më e dobëta në rajon për nga cilësia e shërbimeve në pikat e shitjes

Nga Xh M
647 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 11 gusht Zhurnal.mk – Maqedonia zuri vendin e fundit, të gjashtë, ndër vendet e ish-Jugosllavisë, për nga cilësia e shërbimeve në pikat e shitjes, sipas hulumtimit „Shërbimi Rajonal – MYSAFIR“, të cilin tradicionalisht e realizon agjencia Heraklea.

Siç transmetojnë mediat e rajonit, ky është hulumtimi i 18-të për cilësinë e shërbimeve i realizuar nga Heraklea nga 1 deri më 30 qershor, në bashkëpunim me agjenci për blerje të fshehta nga Bosnjë dhe Hercegovina (BiH), Mali i Zi, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia.

Blerësit e fshehtë vizituan gjithsej 400 pika shitjeje nga industri të ndryshme: industrinë e automobilave, industrinë financiare, sektorin e shitjes me pakicë, objektet turistike dhe hotelierike, si dhe objektet e shërbimeve, ndërsa vizituan edhe pikat e karburantit.

Hulumtimi mat elementet bazë të cilësisë së shërbimeve – përshëndetjen, identifikimin e nevojave dhe dëshirave të klientëve, njohjen e produktit, ofrimin e produkteve shtesë dhe falënderimin për vizitën.

Këtë vit, Mali i Zi u dallua me shërbimin më të mirë në rajon, duke arritur rezultatin më të lartë prej 86,7 për qind, si dhe rritjen më të madhe krahasuar me vitin e kaluar, me 9,3 pikë përqindjeje.

Në vendin e dytë është Sllovenia me 84,7 për qind, me një rritje prej 6,3 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2025, ndërsa e treta është Bosnjë dhe Hercegovina me 83,11 për qind, por me një rënie prej dy pikë përqindjeje.

Kroacia është në vendin e katërt, Serbia me rezultat prej 76,4 për qind dhe përmirësim prej 2,4 pikë përqindjeje është në vendin e pestë, ndërsa Maqedonia renditet në vendin e gjashtë me rezultat prej vetëm 66,3 për qind.

Hulumtimi tregoi se kategoria njohja e produktit, sikurse edhe në vitet e mëparshme, arriti rezultatin më të mirë të përgjithshëm prej 94 për qind, megjithatë shënoi edhe rënien më të madhe krahasuar me vitin 2025, me 0,75 pikë përqindjeje.

Sa i përket rezultateve sipas industrive, industria financiare ishte më e mira, duke arritur rezultat prej 84,8 për qind.

Sektori i shitjes me pakicë prej vitesh veçohet si industria me më së shumti hapësirë për përmirësim, ndërsa këtë vit arriti rezultat prej 71,1 për qind.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër